Biznesi prêt që qeveria e re në mandatin e saj të tretë të fokusohet te politikat e reja, të cilat nuk u premtuan gjatë fushatës, por që janë të nevojshme për të stimuluar ekonominë e post-pandemisë. Për ekspertët e fushës, vijueshmëria qeverisëse ofron më shumë qetësi te klima e biznesit, por risku i vetëkënaqësisë mbetet prezent çka nxit mungesën e transparencës, apo korrupsionin.

 

Ne jemi në pritje të shohim çfarë ka në mëndje qeveria të bëjë, pasi gjatë fushatës u bënë disa premtime të vogla, pra a do të ketë korrigjime në aspektin fiskal, apo jo. –thotë Gjergj Buxhuku  nga Konfindustria.

 

Vazhdimësia krijon një lloj qetësie për biznesin, pasi nuk pritet të ndodhin ndryshime të forta fiskale apo ekonomike, çka i ofron biznesit një panoramë më të qartë në planet e tyre ekonomike- thotë Adrin Civici ekspert ekonomie 

 

Por sfida kryesore e në mandatin e tretë është ulja e borxhit edhe pse ky mandat do të jetë ai i megaprojekteve në infrastrukturë, ulja e borxhit mbetet kryesfida e qeverisë.

 

Sfida kryesore është ulja e borxhit publik, ne pamë që në tre mujorin e parë të këtij viti qeveria ezauroi gati gjysmën e mundësisë për të marrë borxh gjatë gjithë vitit, ndaj dhe sfida mbetet e madhe për ta ulur këtë tregues. Nga ana tjetër mendoj se një sfidë tjetër është skema e pensioneve, e cila çdo vit prodhon një hendek prej 400-500 mln euro – vijon më tej Civici.

 

Sfida reale e qeverisë është të merret me problemet e vërteta të ekonomisë, pasi bilanci qeverisës në këto vite është i dobët ndaj dhe nevojitet një qasje e re në zgjidhjen e problemeve ekonomike – tha Buxhuku.

 

Për katër vitet e ardhshme ekonomia do të fokusohet në disa projekte madhore zhvillimi, si porte, aeroporte, apo tunele, të cilat nëse do të realizohen do të kenë impakt pozitiv në ekonomi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re