Kuvendi pritet të ratifikojë marrëveshjen e ekstradimeve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e cila daton që nga viti 1935. Sipas projektligjit, i cili pritet të miratohet, propozimi i këtij traktati nga pala amerikane synon krijimin e një kuadri të ri rregullativ, përfshirës për një sërë veprash në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ndryshe nga sa parashikon traktati i vitit 1935, në draft, ndër të tjera, është bërë kategorizimi i veprave penale të aplikueshme. Diçka e tillë është bërë mbi bazën e masës së dënimit dhe jo të llojit të tyre si dhe përfshirja e një numri të konsiderueshëm figurash të reja të veprave penale.

Një ndër shembujt konkretë veç veprave të grupeve kriminale është dhe neni 7 i marrëveshjes. Këtu përcaktohet se në rast se vepra penale për të cilën kërkohet ekstradimi është e dënueshme me vdekje, sipas ligjeve në shtetin amerikan, dhe nuk është e dënueshme me vdekje në shtetin tonë, atëherë mund të refuzohet ekstradimi.

Ekstradimi mund të ndodhë përveçse nëse Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë një garanci që dënimi me vdekje nuk do të jepet kundër personit. Sipas ministrisë së Drejtësisë, ratifikimi i marrëveshjes eliminon dhe pengesat ligjore që kanë ekzistuar më parë si dhe duke thjeshtuar procedurat e ekstradimit për të dyja vendet.

Ekstradimet janë kthyer në një problem shqetësues për vendin tonë ku procedurat e vonuara si në rastet e disa të arrestuarve në Dubai kanë bërë që ata të lihen të lirë dhe mos të vendosen para drejtësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re