Një aktore, që vlerësimin e gjen gjithmonë në çdo rol të saj. Elvira Diamanti, që ka spikatur në filma, një tjetër sukses ka dhe si një grua në karrierë. Drejton Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku gjatë kësaj kohe vëmendja e saj është përqendruar në pjesëmarrjen e arkivit me disa filma dokumentarë në një prej festivaleve të Parisit, i cili titullohet “Cinema Du Reel”.   

Të flasësh për punën e saj si drejtuese institucioni ka shumë për të treguar, që nga vëmendja që ka me ruajtjen e filmit, për të vijuar në prezantimin e tij në evente të ndryshme, etj. Por drejtuese në një institucion të rëndësishëm filmi, nuk e ka bërë atë që të ketë larg vëmendjes dhe profesionin e saj të aktrimit. Në filmat që ka lozur në vite ka dhuruar personazhe të bukura, ku roli i Marigosë e ndjek pas ende.

Në këtë bisedë me aktoren, ajo flet jo vetëm për punën që ka bërë me filmin ndër vite, por shpreh dhe keqardhjen që sot në kinemanë shqiptare nuk ka role për aktore të moshës së saj. Një aktore e suksesshme, dhe në jetë një nënë e përkushtuar pas dy fëmijëve të saj. Tregon se familja mbetet gjëja më e rëndësishme në jetën e saj, dhe ndihet krenare që ka rritur dy fëmijë të mrekullueshëm.

Gjatë kësaj interviste aktorja Elvira Diamanti rrëfen si është sot aktiviteti i saj, si kujdeset ajo për familjen, çfarë i ka falur deri tani jeta dhe si është përballur me problemet.  

 Në vëmendjen tuaj këto kohë si drejtuese e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ju keni dhe pjesëmarrjen në festivalin “Cinema Du Reel” në Paris gjatë muajit mars, të muajit mars, i cili zgjat dhjetë ditë dhe nga data 20 deri më 27 do të ketë disa projektime të filmit shqiptar. Keni filluar punën prej kohësh për tu prezantuar në këtë aktivitet. Pse është kaq e rëndësishme pjesëmarrja në këtë festival?  

Duke qenë një festival shumë i mirë i filmit dokumentar, dhe këtë vit në fokus është Shqipëria me dokumentarë nga nostalgjia dhe deri tek ai i ditëve tona, bën një pasqyrim shumë më tepër se sa një film artistik, të asaj çka kemi qenë dhe çka jemi. Mendoj se në këtë pikë publiku dhe kritika franceze, duke u njohur me filma dokumentarë, që fillojnë që nga viti 1935 që është i pari i xhiruar nga një gjerman, dhe deri tek filmi i fundit “Pritja” i Roland Sejkos, kemi një pasqyrim të qartë të asaj çka ne jemi. Mendoj se është shumë mirë për kinemanë dhe arkivin tonë, për fondin që ne kemi, dhe pjesëmarrja në këtë festival është një nder që na bëhet. E veçantë është dhe fakti që do ti bëhet një premierë ndërkombëtare dokumentarit “Përjetësi” të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Është një dokumentar vetëm 7 minuta, por që flet shumë. Prandaj është shumë e rëndësishme. Veç kësaj ky dokumentar ka një cilësi tjetër, që filmat shfaqen jo në mënyrë dixhitale, por vetëm në film 35 milimetra, cilësia duhet të jetë maksimale dhe ne po punojmë dhe po merremi me pastrimin e filmave, që duhen dërguar atje.   

Jeni anëtarësuar si eni anëtarësuar si AQSHF dhe në një portal europian, ku janë dhe arkiva të tjerë. Çfarë sjell kjo për arkivin tonë?   

Ne jemi anëtarësuar në portalin më të madh on line Europeana.eu, i cili është një portal që ka rreth 3500 anëtarë të tij, që kanë brenda tij gjithë trashëgimitë kulturore të arkivave të ndryshme, ku për herë të parë do të bëhemi pjesë dhe ne. Një nga punonjësit tanë, Andi Lubonja ishte pikërisht në Londër më herët për të parë teknikisht se si mund të shfaqen në cilësi të lartë materialet që ne kemi. Unë mendoj që në një portal kaq të madh dhe të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, ku ka mbi 40 milionë metadata të trashëgimisë kulturore europiane, është shumë mirë që dhe AQSHF tashmë është pjesë e këtij portali. Kjo jep mundësi që arkivi ynë integrohet me gjithë arkivat e tjera europiane.   

Filmi juaj më i fundit ka qenë “Ada” më 2013, që nga ajo kohë deri më tani nuk ju kemi parë në kinema, megjithë dëshirën që ka publiku t’ju shikojë në filma. Pse keni munguar këto vite?   

Mendoj që pas vitit 1990 kinemaja shqiptare ndryshoi krejtësisht, duke qenë se shteti shqiptar e la jashtë vëmendjes kinemanë. Nëse në kohën e diktaturës para ’90 ishte prioritet që të shfaqje njeriun që propagandonte shteti, dhe propaganda e kohës, tanimë ky shtet nuk është se kishte nevojë për këto. Përkundrazi në këto vite tranzicioni shumë të rëndësishme për shtetin shqiptar ndoshta gaboj, por më duket se ka pak vëmendje ndaj kulturës. Duke qenë e tillë dhe duke pasur një fond të vogël kinemaja shqiptare natyrisht që do të prodhojë më pak filma. E duke qenë se kjo kinema më gjeti në moshë të mesme, nuk është se kam pasur shumë kërkesa, por nuk ka pasur kërkesa dhe ndaj kolegeve të mia të të njëjtës moshë, të të njëjtës gjeneratë. Pra nuk do të thotë se është mungesë vëmendje, as mungesë dëshire. Është thjesht fakti, që nuk ka shumë role për brezin tonë. Gjithmonë e kam thënë, që kinemaja shqiptare e këtyre viteve ka pasur aktorë të rinj, të cilët edhe nuk kanë spikatur, sepse që të spikatësh mirë në kinema duhet të luash disa filma. Pra për të dalë një aktor, ku publiku ta njohë duhet të luash disa filma, ndërkohë që këtu nuk ka vazhdimësi për faktin që ka një apo dy produksione filmi në vit. Në këto produksione për ne ka pasur shumë pak vend ose pothuajse fare, kështu që në këtë drejtim më vjen keq, sepse është një përvojë që ti do ta japësh në këtë kohë.   

Dhe një rol, që do të ishte i përshtatshëm për ju në këtë kohë?

Mirë është që të luaja një rol mamanë e shqetësuar ndaj problemeve të fëmijëve, sepse unë nuk mund të luaja vajzën e re që kam luajtur dikur dhe problemet e një vajze të re. Por ju pohova dhe e them me keqardhje, nuk ka kinema për të luajtur ne akoma role. Nëse do të kishte kinema, ku problemet sociale ne i shohim përditë, natyrisht që do të kishte vend. Së fundmi kinemaja shqiptare ka pasur shumë tema, të cilat mbase jashtë Shqipërie kanë një lloj çudie, njohin një realitet shqiptar me gjakmarrjen, me prostitucionin, me probleme të kësaj natyre, ndërkohë që ne në Tiranë këto nuk i ndjejmë. Ne e dimë që ka gjakmarrje, por duke qenë se janë disa filma rresht për gjakmarrjen nuk përbëjnë më interes për publikun shqiptar, ndaj mendoj se ka dhe një lloj distance dhe shkëputje të publikut shqiptar me kinemanë aktuale. Kjo sepse nuk prek ato tema që shqetësojnë sot shqiptarët, tema të vështira të tranzicionit, të pamundësisë për të shkolluar mirë fëmijët, etj.   

Keni pohuar si një problem të kinematografisë shqiptare dhe mungesën e filmit komedi?  

Filmi komedi, jo se është parë me më pak prioritet, por kineastët, skenaristët, producentët, shohin si një mundësi më të mirë për të qenë jashtë në festivale të ndryshme temat që përmendëm pak më lart. Pra tema, që tërheqin vëmendjen e një publiku të huaj apo të festivaleve të ndryshme, që zhvillohen sot në botë. Ne hasim çdo ditë një absurd shqiptar, çdo ditë kur ne pimë kafe me miqtë, flasim për çudira që na rrethojnë. Mund të ishte qoftë dhe tema e zgjedhjeve që zhvillohen tek ne, ku dikur kam folur dhe me Artan Minarollin, dhe më vjen keq shumë që u nda nga jeta, i cili kishte një sinops për një temë mbi zgjedhjet. Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo fatkeqësi, mendoj se si film do të ishte një komedi brilante dhe me një temë e tillë për publikun shqiptar. Të gjithë ditën e zgjedhjeve qeshim me ndonjë gjë që ne shohim, apo me personazhe të ndryshme, përfaqësues të ndryshëm të partive, të cilët në fund të fundit siç thoshte dhe Tani mund konfliktohen me njëri-tjetrin, por pastaj hanë nga një picë dhe harrojnë për një moment që duhet të jenë rojtarë të fortë të atyre votave që hedh publiku. Unë mendoj që kjo është një temat, që mund të ishte një film komedi shumë i bukur, pra si kjo ka shumë Shqipëria. Kjo lloj kinemaje do t’i jepte dhe pak dritë zymtësisë shqiptare.   

Numëroni jo pak filma artistikë në aktivitetin tuaj si aktore. Roli i parë ka qenë në filmin “Radiostacioni” ku luanit partizanen, dhe pas këtij roli filluan dhe të tjerë më pas?   

Filmi i parë ka qenë roli i partizanes, por ama partizane e Ismail Kadaresë. Është një personazh shumë i dashur. Ishte fat të xhiroja në atë film, sepse është një nga filmat e mirë shqiptarë. Rikard Ljarja të cilin e pat dhe filmin e parë si regjisor, mendoj se ka bërë vërtetë një film shumë të mirë. Ka qenë dhe një atmosferë shumë e bukur, dhe po të shikosh aty ka një galeri personazhesh të jashtëzakonshëm pothuajse të një pjese të madhe të aktorëve të Teatrit Kombëtar.Unë vija nga gjimnazi dhe ende si kisha mbushur 17 vjeç. Isha në vit të dytë gjimnaz dhe ishte fat roli. Regjisori Rikard Ljarja më mori në atë rol pa kinoprovë, sepse ndërkohë unë e kisha bërë një kinoprovë për filmin “Në shtëpinë tonë” me Dhimitër Anagnostin, ku fitoi Tatjana Leskaj, dhe ky ishte një film i cili pavarësisht se nuk ishte një rol protagoniste, më dha dorë sepse shumë shpejt xhirova sërish një rol joprotagoniste, por shumë të rëndësishëm në filmin “Liri e vdekje”, që ishte gruaja e Çerçiz Topullit. Pra karriera ime nuk filloi si e tillë, që do vazhdonte, sepse duke qenë në gjimnaz jetës nuk i dihej, por për fatin tim ajo vazhdoi dhe sërish për fatin tim spikati disi në publikun e kohës. Por dhe me teatrin kam pasur fat, sepse kam luajtur me trupën e pedagogëve tek komedia “Shi në plazh” kur isha ende studente, dhe më vonë te “Mësuesi i letërsisë”. Pra edhe kinemanë dhe skenën e teatrit i kam prekur pa qenë ende një profesioniste e vërtetë, fati ka qenë zemërgjerë në këtë drejtim.   

Kanë kaluar vite dhe vazhdon të ruash vlerësimin si një nga femrat më të bukura të kinemasë shqiptare. Publiku vazhdon t’ju vlerësojë. Sa kujdeseni, që ta ruani këtë?   

E kam thënë dhe herë tjetër që publiku më ka dashur dhe vazhdon të më dojë. Kjo nuk është merita ime. Mbase në mënyrë indirekte nuk ka lidhje aq me kinemanë sa ka lidhje me atë ç’ka unë bëj dhe them. Dua t’ju tregoj një pasazh të shkurtër. Të premten isha në shkollën “Bajram Curri”, dhe ishte shumë befasuese se si një vajzë në klasë të gjashtë u emocionua aq shumë sa filloi të qante, dhe tha që unë nuk e besoj dot që po të takoj ty dhe të kam kaq afër. Por dhe unë u emocionova shumë më tepër. Nuk kishte kamera, nuk kishte publik që po na ndiqte, ishim shumë pak, disa nxënës shkolle dhe unë, dhe me këtë rast dua të them atë që i thashë asaj vajze dhe për të gjithë lexuesit, kur të tjerët dhurojnë kënaqësi dhe emocion, kënaqësia është e imja. Nëse unë arrij të përcjell diçka është falë fatit, që kam pasur dikur në kinema dhe falë asaj që i dua njerëzit. Një ikonë bukurie unë do të përfshija Sofia Loren apo Xhulia Roberts, por nuk e shikoj veten të tillë. Unë e shikoj veten si një njeri që përpiqet, është e vëmendshme ndaj vetes. Më është bërë natyrë e dytë, që mos të dal kurrë e pakrehur, e pagrimuar nga shtëpia, sepse njerëzit të njohin kështu dhe nuk mund t’i zhgënjesh. Por përtej kësaj përpiqem të jem shumë e natyrshme në të gjitha gjërat që unë bëj apo vesh. Nuk më pëlqejnë ekstravagancat.   

Për të vijuar me këtë, gjithmonë ke spikatur për mënyrën se si je prezantuar në evente të ndryshme, dhe jeni shprehur se në mënyrën se si visheni nuk mund ta mendoni veten përtej moshës që keni?  

Po, nuk mund ta mendoj veten përtej moshës që kam. Unë gjithmonë përpiqem të jem mirë brenda moshës që kam. Dhe kjo gjë që më jep dhe një rehati të brendshme. Vitet kalojnë për këdo. Sigurisht që nëse do të kthejmë kokën pas ka vetëm gra dhe vajza të bukura, të cilat janë gjithmonë më të reja se ty. Pra e shikoj veten gjithmonë brenda kornizave të mia personale. Kjo më bën të ndihem mirë, dhe mbase kjo reflektohet dhe te të tjerët.   

Këtë bisedë me ju po e zhvillojnë në zyrën ku ju punoni çdo ditë në çdo ditë në AQSHF, dhe në sfond na shoqëron muzika e Verdit. Ju pëlqen klasikja?  

Më pëlqen shumë muzika klasike. Për hir të së vërtetës, dua të them që më shumë shikoj premierat në Teatrin e Operës dhe Baletit se në Teatrin Kombëtar. Keq më vjen që e them këtë, por më pëlqen klasikja. Gjatë ditës sime nuk mund të mungojë dhe një libër, por dhe në sfond muzikë nga Verdi, apo dhe zëri i sopranos së jashtëzakonshme Maria Callas. Janë gjëra që më pëlqejnë po aq sa lulet.    

Dhe në zyrën ku ju punoni, gjen gjithmonë një vazo me lule të freskëta…   

Një pjesë e tyre si sot që është një vazo me mimoza, janë nga oborri i institucionit.    

Gjithmonë vetëm me filmin, por pak keni folur për jetën tuaj pranë familjes. Në tryezë shikojmë dy fotografi, djali dhe vajza juaj. Si janë të ndërtuara marrëdhëniet me ta?   

Të dy fëmijët e mi, ku vajza Edra është 28 vjeçe dhe djali Marko 23 vjeç, studiojnë të dy, por asnjërin prej tyre nuk e kam këtu. Ime bijë është në Romë, dhe djali në Berlin. Sigurisht që më mungojnë, por edhe pse jemi larg për shkak të teknologjisë janë të pranishëm gjatë gjithë ditës, dhe unë po ashtu për ata. Kam një raport të shkëlqyer me fëmijët, ku nuk kam bërtitur kurrë, por jam përpjekur që gjithmonë të flas me ta, edhe kur ka qenë gabim. Kur kanë bërë një gabim, nuk kam përtuar të flas, nuk i kam rënë kurrë shkurt bisedave me ta. Sot mund ta them me krenari, që kam rritur dy fëmijë shumë të mirë, pa asnjë lloj problemi dhe mbi të gjitha dhe me një marrëdhënie shumë të hapur me njëri-tjetrin. Mendoj që kjo ka bërë, që edhe ata të mos gabojnë në zgjedhjet që kanë bërë ose bëjnë, por dhe mua të më falin shumë dashuri.   

Asnjëri prej tyre nuk ka ndjekur rrugën e artit?   

Vajza ime studion për mjekësi dhe djali për shkenca politike. Nuk e kanë pasur kurrë këtë dëshirë për artin. Unë nuk ua kam ushqyer, por nuk do t’u thosha jo, nëse do të ishte një zgjedhje e tyre, por ata nuk e kanë pasur atë dëshirë asnjëherë.   

Filmat tuaj i kanë parë, si është të kenë nënën e tyre kaq të njohur?   

Filmat e mi i kanë parë, dhe shpesh qëllon që në biseda me njerëz, ku dhe ata janë të pranishëm çuditen, por dhe nganjëherë bëjnë shaka duke thënë: mami, neve nuk na besohet që ti je VIP. Kjo sepse jeta jonë në familje ka qenë e tillë, një grua dhe mama e zakonshme, që i kam bërë të gjitha gjërat. Dua t’ju tregoj, që dhurata më e bukur që mora për festat e fundvitit ishte një album me fotografi të stampuara, ku ishim ne të tre në udhëtime të ndryshme. Kur them ne të tre, sigurisht që mund të jetë dhe bashkëshorti Drini, por më shpesh jam unë që shkëputem për të parë fëmijët dhe duke qenë se të dy janë në vende të ndryshme, qoftë për një ditëlindje apo arsye tjetër, takohemi diku për të kaluar 2-3 ditë aq sa unë mundem që të shkëputem nga Drini apo nga shtëpia dhe puna. Duke parë këto foto, kjo ka qenë një kënaqësi, sepse më riktheu në udhëtime në kohë të ndryshme, dhe mendova se sa të bukura janë ende fotografitë e stampuara.   

Në kinema një aktore e vlerësuar dhe me sukses, në familje një grua dhe nënë e zakonshme, që përballet dhe me probleme që sjell jeta?  

Përgjithësisht jam një natyrë optimiste, sepse i shikoj gjërat me buonsens. Në fakt gjatë gjithë viteve të mia, unë kam humbur njerëzit e mi më të dashur. Shumë shpejt në moshën 60 vjeç më vdiq babai, që ka qenë dhe dhimbja e parë e madhe për mua, më pas motra ime e madhe, pastaj mamaja ime. Duke qenë se i kam përjetuar këto dhimbje, dhe e di çdo të thotë, ku jeta është shumë e shkurtër, kam kuptuar diçka të madhe, nuk ka kohë për t’u marrë me gjëra të vogla apo qejfmbetje apo armiqësira. Mendoj që çdo gjë që ka lënë gjurmë te unë, çdo dramë e kaluar, hall apo problem, më kanë bërë më të fortë, për më të mirë dhe më tolerante. Përpiqem të marr nga të tjerët më të mirën e mundshme, që mund të më japin ata, dhe unë të jap më të mirën e vetes sime, flas në raporte më të gjëra. Ndërsa në familjen time kam dhënë gjithçka, qoftë dhe në kurriz të karrierës sime apo të orëve të mia të relaksim. Kam qenë unë, ajo që kam dhënë gjithçka, por në kompensim kam marrë një dashuri shumë të madhe. Në kompensim, mendoj se kam një familje shumë të bukur.

 Si një grua familjare, në një drekë të zakonshme, si mundohesh ti kënaqësh pjesëtarët e familjes. Ushqimet që gatuan?

Dita që gatuaj më mirë dhe ushqimet janë më të shijshme është e shtuna dhe e diela. Kjo sepse, që të gatuash do dhe kohë. E gatuara shpejt e shpejt, që bëhet çdo ditë natyrisht që nuk mund të jetë aq e shijshme sa e gatuara e mamave tona. Përpiqem në fundjavë, që të kem një tavolinë të bollshme, të mos mungojë sallata, ëmbëlsira, vera apo birra pa alkool. I përkushtohem gatimit. Duke qenë se fëmijët janë jashtë, unë dhe bashkëshorti im Drini e mendojmë dhe pak më thjeshtë këtë pjesë, por ama kur vijnë fëmijët natyrisht që një javë përpara kam prioritet të mbush frigoriferin me ushqime, dhe të bëj një listë të gjërave që ata do të donin. Unë e di që ditët e festave për Vit të Ri, nuk mungon përsheshi që është tradicional, që ata e hanë shumë. Nuk mungon mishi i gatuar me qepujka, dollma me lakër, dhe supërat e ndryshme që gatuaj. Kjo sepse fëmijët këto nuk i hanë jashtë, dhe përpiqem që kur ata vijnë t’u plotësoj boshllëqet që kanë atje.    

Meqë jemi te ushqimet, ruani ende një fizik që shumë femra të moshës suaj mund t’ju kenë zili?   

Ajo që është dhuratë e geneve, nuk mund ta mohoj. Këtë e them, sepse nuk kam shkuar asnjëherë në palestër dhe nuk kam asnjëherë kohë që të shkoj dhe në një sallon estetike. Çdo gjë e bëj vetë. Sikur dhe flokët ti lyeja vetë, do ta bëja. Përpiqem vetë për të pasur një imazh të rregullt, atë që unë mund ta bëj në shtëpi e bëj vetë. Natyrisht që nuk jam neglizhente. Përpiqem të marr kremra të mira, që t’i përshtaten moshës sime. Këtë e bëj dhe se nuk kam kohë që të shkoj në qendra estetike. Por dhe nëse do të shkoja, do të bëja vetëm trajtime që janë brenda kornizës së portretit të moshës sime. Pra të brezit tim. Nuk do bëja kapërcime, nuk do guxoja të bëja operacione plastike, sepse nuk mendoj se do të bënte një operacion plastik atë që ka bërë perëndia, pra atë që i ka dhënë portretit tim. Jo se jam kundër ndërhyrjeve, çdo njeri ka zgjidhjet e veta dhe bën atë që duket më e mira, dhe në këtë pikë jam dakord me të gjitha ato që i zgjedhin ti bëjnë. Mendoj që ajo që kemi parë tek të tjerët është një thikë me dy presa. Përshembull nisur dhe nga personazhet e Hollivudit, një pjesë e mirë janë përmirësuar ose kanë mbetur aty ku janë, dhe një pjesë kanë bërë gabime të pafalshme.

Edhe sa do të vazhdojë t’ju ndjekë personazhi i Marigosë?

Marigoja është një dhuratë e vyer për mua. E kam pohuar që e quaj fat atë rol në filmin “Përrallë nga e kaluara”, sepse Marigoja mund të ishte sërish në sirtarin e Dhimitër Anagnostit, por mund të ishte dhjetë vjet para, por mund të ishte dhe dhjetë vjet mbrapa, por Marigoja doli nga sirtari pikërisht në kohën kur unë mund ta luaja rolin. Ndaj e quaj fat. Ai rol është i bukur dhe i vendosur në një film shumë të bukur. Ai film ka dhe personazhe të tjerë të bukur të luajtur nga aktorë të mëdhenj. Ishin gjërat së bashku, që përbëjnë fatin.  

Ndihesh e plotësuar me atë, që ke arritur deri tani?   

Po, ndihem e plotësuar. Natyrisht që në jetë ke shumë ëndrra të cilat mbeten në sirtar. Më kujtohet tani që kur kam qenë aktive në teatër nuk kam pasur mundësi që të luaja Shekspirin ose një rol nga antikiteti. Do të doja ta shikoja veten dhe në këto dimensione. Të tilla ëndrra në sirtar kemi plot, por në përgjithësi jam e kënaqur me mënyrën se si më ka ardhur jeta dhe me vitet, të cilat i kam në kurriz, ku e thashë dhe pak më përpara që përpiqem të jem mirë dhe të përjetoj mirë momentin ku jam. Prandaj dhe nuk kam frikë nga një rrudhë, nga gjurmët që të lë mosha. Kjo sepse ndihem e plotësuar, dhe sepse jeta deri këtu ka ardhur sepse kam jetuar. Ju thoni që je mirë, por kjo sepse më shikojnë në moshën time. Gjithmonë më ka pëlqyer e natyrshmja, edhe kur isha vajzë e re.

Intervistoi: Julia Vrapi   /Agjensia e Lajmeve Sot News/ Intervistë e vitit 2016.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re