Ish-ministri dhe deputeti i LSI-së, Edmond Panariti që prej pak ditësh mori detyrën e re të drejtorit të kabinetit të Presidentit Ilir Meta, ishte i ftuar në studion e “ABC”-së përballë gazetarit Endri Xhafo, ku kërkoi shtimin e testeve për të zbuluar të infektuarit dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por edhe ndryshimin e protokollit për trajtimin në shtëpi, në fazë të hershme të të prekurve. Për Panaritin, trajtimi me oksigjen duhet të fillojë në kushte shtëpie, pasi ulet shumë mundësia për të kaluar në intubim. Panariti kritikoi qeverinë për menaxhimin e pandemisë dhe kërkoi bashkëpunim të ekzekutivit me presidentin për të përballuar më mirë sfidën.

“Ne jemi ende me kapacitete të mangëta. Nuk është bërë mjaftueshëm për protokollin e trajtimit të pacientëve në shtëpi dhe aty kemi një çorientim dhe konfuzion, çfarë duhet të bësh duke pritur rezultatin e tamponit, pasi ka një kohë pritje që është goxha e madhe dhe mund të mundësojë që pacienti ta transmetojë infeksionin, por edhe e pengon atë të marrë masat e nevojshme që në fillim. Presidenti ka komunikim me qeverinë, ka informacion. Presidenti ka insistuar që trajtimi të fillojë nga shërbimi parësor, mjeku i familjes, që në shfaqen e simptomave, të japë asistencën e parë me trajtimin me medikamente, një pjesë e familjeve e kanë të pamundur për ta përballuar.

Për kategori të veçanta, si të moshuarit, që mund të kërkojnë trajtim më të dedikuar, që janë me sëmundje bashkëshoqëruese, diabetikët, apo ato që vuajnë nga sëmundjet e zemrës kanë nevojë për medikamente shtesë. Shërbimi parësor të jetë më proaktiv. Unë kam hedhur idenë që në simptomat e para, trajtimi me oksigjen të fillojë në kushte shtëpie, pasi ulet shumë mundësia për të kaluar në intubim” tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga drejtori i kabinetit të kreut të shtetit lidhet me vaksinimin për gripin stinor, që sipas tij nuk është bërë edhe pse stoqet janë aty. Ai tha se vaksinimi i grupeve me rrisk do të jepte një imunitet të kryqëzuar. “Nuk e kuptoj pse nuk u krye vaksinimi i gripit stinor. Vaksinimi me gripin sezonal këtë vit është më i rëndësishëm se kurrë. Studimet e fundit tregojnë se vaksina e gripit sezonal jep imunitet edhe kundër covidit.

Gjithashtu unë e konsideroj të domosdoshme ndryshimin e protokollit, që të trajtohen ato që kanë thënë organizmat ndërkombëtare, i kam thënë drejtorit të OBSH për Europën (Hans Kluge) të insistojë te qeveria që të fillojë vaksinimin te grupet vurnerabël, pasi OBSH këtë vit insistoi me forcë, që vaksinimi për gripin sezonal është më i rëndësishëm se kurrë. Edhe kur prekesh me covid duhet të vaksinohesh, jo më pa u prekur. Pasi pengon që të luftojmë në dy fronte, edhe me covidin edhe me gripin. Të dhënat e fundit tregojnë se jep imunitet të kryqëzuar vaksina e gripit sezonal. Stoku vaksinal ishte aty. Drejtori më tha se mbajtëm shënim dhe do ia bëjmë prezent qeverisë.

Vaksinat duhet të kenë ardhur dhe duhet të kishin filluar që në fillim të tetorit, mendoj se përsëri jemi në kohë, prandaj i bëj thirrje komitetit ta shikojë me seriozitet këtë instrument, që vaksinën e gripit stinor ta aplikojnë te grupet vurnerabël se ndihmon dhe mund të shpëtojë jetë njerëzish” tha ai. Një tjetër problem që Presidenti, ashtu si opozita insiston është rritja e numrit të testimeve. “Shqipëria është e fundi në Europë. Një person pozitiv i pa diagnostikuar për një javë mund të infektojë një lagje të tërë, nuk mund të justifikohet që përgjigja të vijë pas një jave, ndërkohë që shtyn edhe procesin e fillimit të trajtimit.

Situata po përshkallëzohet, rastet janë në rritje, prandaj është koha për të ndërhyrë dhe të bashkëpunohet mirë. Presidenti e ka prioritet absolut, pasi është një cështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, siguria shëndetësore është siguri kombëtare”. Një koment ai e kishte edhe për masat që ka marrë qeveria për kufizimin e lëvizjes. “Fillimisht u treguam më fanatikë se vendet e tjera, tani kur të tjerët janë mbyllur ne vijojmë të jemi hapur. Kërkohet një bashkëpunim, koordinim mes presidentit, qeverisë, shkencëtarëve për të bërë më të mirën, duhet të ndryshohet protokolli i trajtimit” përfundoi Panariti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re