Mbetet e rënduar gjendja në spitalet Covid në vend, ku familjarët, të shtyrë dhe nga mungesa e informacionit për të afërmit që ndodhen të shtruar, ngrejnë shqetësime nga më të ndryshme.

Gazetarja e Fax News Fjona Çela ka intervistuar një zotëri, i cili thotë se i kanë shtruar të ëmën në Infektiv, edhe pse tamponi i ka dalë negativ. Ai shprehet se tamponin ia ka kryer të ëmës në privat, ndërkohë që ka frikë se mos infektohet brenda në Infektiv.

“Parametrat e oksigjenit i kishte të rënda, është 90 vjeç, e morën dhe e sollën direkt këtu. Si nuk jemi të shqetësuar, se i thonë nënë në radhë të parë, para 5 ditësh më iku dhe babai, ai u rrëzua në banjo. Nëna doli me tampon negativ, ia bëra në privat, ka dalë negativ, mbrëmë në dhjetë të natës e solla këtu tamponin.

Nuk të jep njeri përgjigje nga këta, ajo mjekja roje më tha se do më nxirrte dikë me të cilën të flisja. Kujt ti thuash, kam frikë se do më jetë infektuar aty brenda, edhe letrën e tamponit nuk donin që ta merrnin, mezor e dorëzova në dhjetë e gjysëm. Nëna nuk reagon dot, ajo ishte në gjendje si përgjumësh, e morën ata dhe e sollën këtu në Infektiv. Nuk e di pse e sollën këtu”, shprehet qytetari.

Ndërkohë që të tjerë qytetarë thonë se mbeten në pritje që të takojnë mjekët, për të mësuar më shumë për të afërmit e tyre.

“Kam kunatën të shtruar, mbrëmë ka qenë në gjendje të rëndë, doktoresha na ka thënë që do vinë të na thonë këtu në orën 11”.

Një tjetër shqetësim mbetet dhe ai i pacientëve që nuk janë të prekur nga Covid, dhe sorrollaten në ambientet e QSUT pasi nuk i jepet shërbimi i kërkuar.

“Kam dy muaj që vij vërdallë dhe nuk më shtrojnë në spital, i kam dokumentat rë gjithë në rregull dhe më thonë që jo si ke në rregull. Më sjellin vërdallë kam dy muaj e ca, nuk po më japin asnjë zgjidhje, asnjë gjë, ja shikoni letrat vetë, i kam të gjithë në rregull. Nga Durrësi i kam marrë të gjithë letrat që më duhen, ata atje nuk më mbajnë, këta thonë që letrat nuk i ke në rregull”, shprehet një qytetar nga Durrësi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re