Skip to content

‘Është fëmijë, mos e harroni kurrë këtë’, flet avokati mbrojtës i Florian Përvathit: Edhe vetë ai është viktimë, e kanë mbarsur me urrejtje

Avokati mbrojtës i të miturit Florian Përvathi, Andi Duraj, ka folur për medias pas seancës për dhënien e masës së sigurisë ndaj 17-vjeëarit, i cili vrau për hakmarrje.

Duraj tha se dhe i mituri është vetë viktimë në këtë krim të rëndë që ka ndodhur, pasi sipas tij ka qenë pa kujdes nga shteti, në momentin që ka mbetur jetim.

Avokati u shpreh se në seancë i mituri nuk ka folur, pasi gjendet në një moment të vështirë psikologjik.

“Sot ishte seanca për vlerësimin e arrestit, nuk pritej ndonjë vendim ndryshe, pasi vepra është e rëndë. Është rasti që ka dy viktima, i pari është personi që ndërroi jetë, i shpreh ngushëllime familjes dhe i dyti autori i veprës penale.  Që në momentin që i kemi rritur dhe mbarsur me një urrejtje të tillë.

Klienti im është fëmijë, këtë mos e harroni kurrë, është mjaft i tronditur, deklaratën e ka dhënë të plotë dhe të saktë përpara policisë, në prani të psikologut, është një nga ngjarjet më të rënda, që ka vetëm viktima, edhe për autorin e veprës penale. Do të bëj të pamundurën për këtë ëështje, pasi është një problem shumë i madh social.

Ka pasur një mungesë kujdesi për këta persona që në momentin kur kanë mbetur jetimë, 4 vjeë dhe deri më sot”, u shpreh avokati.

Mungesa e drejtësisë që çoi Florianin drejt hakmarrjes

Vrasësi i babait të tij u lirua vetëm me disa vite burg nga Gjykata, ndërkohë që përveç të atit ai humbi në të njëjtën ditë edhe nënën, e cila u vetëhelmua.

Ndue Lekgjonaj bëri vetëm 4 vite burg dhe prej vitesh jetonte në emigrim, por shumë larg fshatit të krimit Manati.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, dhënë më 26 korrik 2010, Lekgjonaj gjendet fajtor për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Në vendimin me trupë gjykuese Gentiana Muçaj, Fjoralba Prifti dhe Ded Deda, thuhet se Ndue Lekgjonaj akuzohet për dy vepra penale, ndërsa prokurori i shkarkuar tanimë nga vetingu, Agim Dalipi, ka kërkuar dënimin me vetëm 12 vite burg të Lekgjonajt.

Pavarësisht dënimit minimal, trupa gjykuese i “fali” edhe rreth dy vite të tjera, duke e dënuar përfundimisht me 10 vite e 6 muaj burg. Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes së Gjon Përvathit dhe plagosjes me makinë të djalit të tij, vetëm 14 vjeç në atë kohë, përfitoi edhe gjykim të shkurtuar, duke iu zbritur dënimi me 7 vite.

Në vendimin e Gjykatës së Lezhës thuhet se Gjon Përvathi ka qenë me djalin e mitur dhe të vëllanë, duke ecur në rrugën kryesore të fshatit Manati, kur u përplasën me makinë nga Ndue Lekgjonaj.

Më 21 nëntor të vitit 2009, rreth orës 14:30, në fshatin Manati në afërsi të një lokali, ka ardhur Ndue Lekgjonaj dhe e ka përplasur Gjon Përvathin, djalin e tij të mitur dhe të vëllanë që lëviznin në këmbë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar tri herë më armë gjahu, duke lënë të vdekur në vend Gjon Përvathin, ndërsa të plagosur nga përplasja mbeten vëllai dhe djali i tij.

Pas ngjarjes, Lekgjonaj është larguar në drejtim të fshatit Prull dhe është dorëzuar në Polici më 25 nëntor, duke pranuar autorësinë e krimit. Edhe pse mbetën të plagosur nga përplasja me makinë, djali dhe i vëllai i viktimës nuk janë përfshirë në hetim.

Hetuesit kanë marrë vetëm deklarimin e kunatës së viktimës, bashkëshorti i së cilës u lëndua nga Lekgjonaj.

Sipas saj, kunati Gjon Përvathi ka dalë nga shtëpia bashkë me djalin e mitur për të takuar familjen Lekgjonaj, por nuk vonoi shumë dhe ajo dëgjoi zhurmë, që e bën të dilte nga shtëpia dhe të shohë sesi fqinji i mori përpara me makinë të afërmit e saj. Në këtë vendim mungojnë edhe shkaqet që sollën sulmin ndaj tre burrave të familjes Përvathi. Vendimin e ka apeluar vetëm pala mbrojtëse, por Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi të njëjtin dënim siç e dha Shkalla e Parë në Lezhë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb