Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj duke folur në seancë plenare këtë të enjte lidhur me procesin e vaksinimit dhe përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia, tha se qeveria duhet t’i pranojë kritikat e opozitës kur janë konstruktive.

Ndërkohë në fjalën e tij Xhafaj i kërkoi opozitës të mos bëjë kritiken me gjuhë të ashpër dhe t’ja njohë meritat qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën si e ka menaxhuar pandeminë.

“Deri tani është bërë një punë shumë e mirë për vaksinimin e popullatës. Ka pasur e ka probleme se luftë ishte dhe e tillë mbetet.

Opozita është në të drejtën e saj dhe në shërbim të qytetarëve të shprehë kritikat e saj ndaj procesit dhe ne si mazhorancë, qeveria jo thjesht duhet t’i dëgjojmë me vëmendje por dhe t’i pranojmë kur ato janë konstrutkive.

Kjo nuk e justifikon gjuhën e ashpër denigruese në disa raste këtu si dhe nuk duhet tu pengojë ju si opozitë ti jepni mbështetje procesit, por ti njihni meritën kundërshtarit, përfshi edhe qeverisë dhe personalisht ministres Manastirliu që e ka menaxhuar këtë betejë dhe ekspertëve në përballjen me shumë përgjegjshmëri e sakrifica personale.

Kjo ju bën nder edhe juve por edhe i jep besueshmëri kritikave të adresuara nga ju”.

Sipas Xhafajt, kjo është një nga ato beteja “ku s’duhet të ketë të majtë a të djathtë por politikanë të angazhuar në një kauzë të përbashkët”.

Duke e cilësuar jetik vijimin e procesit të vaksinimit, Xhafaj madje tha se ai është i mendimit që për disa kategori të caktuara duhet të ketë edhe masa shtrënguese.

“Nëse kemi mundësinë sot që përditshmëria e jetës sonë të jetë pothuaj gati si para pandemisë është për shkak të menaxhimit dhe rritjes së vaksinimit të popullatës është jetike që vaksinimi të ecë para me çdo kusht qoftë edhe me masa shtrënguese për kategori të caktuara sipas mendimit tim.

Sidomos ata që kanë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, shërbimit ndaj tij dhe ata që janë të detyruar të jenë pjesë e punës në grup.

Pozitive që edhe opozita e ka mbështetur thirrjen për vaksinim, ndaj nga kjo seancë mund të kemi në fund një qëndrim të unifikuar me shprehjen e vlerësimit e mbështetjes ndaj atyre që janë të angazhuar në vijën e parë por dhe me thirrjen e këtij kuvendi ndaj qytetarëve për tu vaksinuar sa më shpejt të jetë e mundur.

Të pranomë çka është për t’u pranuar, të reflektojmë ku është për të reflektuar, të negociojmë çka është për por ama në finale të bëhemi të gjithë bashkë në përparimin e kësaj beteje, të paktën kjo gjë mund të jetë një pikë ku bashkojmë kontributet dhe qëndrimet tona nëse qytetarët janë realisht të parët për çdo forcë politike në këtë sallë, mbi çdo interes partiak elektoral apo edhe karrige pushteti”, tha Xhafaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re