Besimtarët bektashinj në Shqipëri e mbarë botë festojnë sot Sulltan Novruzin.

Në një mesazh nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se data e sotme ka qenë dhe mbetet unikale.

Duke u ndalur në mesazhin e tij edhe te situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, Baba Mondi u shpreh se pavarësisht kufizimeve, kjo situatë nuk i ka penguar besimtarët të jenë shpirtërisht pranë njëri-tjetrit.

Fjala e Baba Mondit:

Të nderuar motra dhe vëllezër, vëllezër bektashian kudo jeni në botë, paçi fat e lumturi.

Sulltan Novruzi ka qenë dhe mbetet një datë unikale. T’i afrohemi mirësive dhe begative, duke bashkuar fatet tona njerëzore për fatin e kombit.

Dita e sotme do të mbetet e shënuar në historinë botërore. Selia jonë e Shenjtë ju ka bërë ballë dallgëve të kohës. Kemi lënë pas krahëve një histori rrëqethëse.

Me gjithë dëshirën tonë, sot nuk mund të bashkohemi, për shkak se pandemia na ka kufizuar çdo ditë e më shumë.

Por kjo situatë nuk na ka penguar të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit. Do i kalojmë këto ditë të vështirë për t’u bashkuar. Zoti na bekoftë të gjithëve. Amin!