Sot, më 18 nëntor 2024, këngëtarja e mirënjohur shqiptare Shkurte Fejza feston 63-vjetorin e lindjes.
E lindur më 18 nëntor 1961 në Mushtisht të Therandës, Kosovë, ajo është një nga zërat më të spikatur të muzikës popullore shqiptare.
Shkurte Fejza kreu arsimin fillor në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Therandë. Studimet e larta i përfundoi në Prizren dhe Prishtinë. Talenti i saj muzikor u shfaq që në moshë të re, duke marrë pjesë në programe shkollore. Në vitin 1975, ajo mori pjesë në festivalin “Takimet e Majit” në Prizren, ku u vlerësua me çmimin “Debutantja më e suksesshme”.
Në të njëjtin vit, u bë anëtare e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Afërdita” në Mushtisht, duke kontribuar ndjeshëm në promovimin e muzikës popullore shqiptare. Gjatë karrierës së saj, Shkurte Fejza ka interpretuar në shumë festivale dhe koncerte, duke përfshirë Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1978 dhe Festivalin Botëror të Folklorit në SHBA në vitin 1994.
Për shkak të angazhimeve të saj artistike dhe patriotike, ajo u përball me sfida politike. Në vitin 1988, u largua nga procesi edukativ-arsimor në Mushtisht, dhe për disa vite këngët e saj u ndaluan në programet e Radiotelevizionit të Prishtinës.
Repertori i saj përfshin këngë të njohura si “Moj syzeza”, “Erdha nga qyteti”, “O ky vend i bukur”, “Oj Kosovë, nëna ime”, “Mbahu nënë mos ke frikë”, “Kam një lot m’pikon si ar”, “E kam emrin kosovar” dhe “Jo nuk ndahet Mitrovica”.
Në vitin 2024, Shkurte Fejza festoi 50-vjetorin e karrierës së saj me një koncert madhështor në Prishtinë, duke u vlerësuar si “zëri i kombit” dhe një frymëzim në kohë të vështira për popullin shqiptar.
Me një karrierë të pasur dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare, Shkurte Fejza mbetet një ikonë e kulturës sonë kombëtare.