Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli ishte i ftuar në emisionin sportiv “Paso” në Top Albania Radio, ku u bisedua rreth ndikimit të sportit në qeveri dhe anasjelltas.

Diskutimi nxori në thelb edhe çështjen e basteve, ku Ylli i bëri një thirrje kryeministrit se këto pika bastesh duhet të rikthehen sërish në vend.

“Në të gjithë botën ka baste, në Angli ka baste, në Itali ka baste, u bë mirë për momentin që u mbyllën sepse ishin bërë si kërpudha, çdo tre metra një pikë. Tani po funksionojnë ‘underground’ (fshehur nëntokë) shteti nuk merr asnjë para, janë të gjithë në të zezë.

Nuk i mbylli dot Enver Hoxha… në kohën e komunizmit kishte baste është dënuar edhe Andrea Marku atëherë për baste, tek lagjja jonë bëheshin hapur. Kështu që unë mendoj që qeveria duhet ta ketë në vëmendje këtë, unë ja kam thënë edhe kryeministrit.

I bëj thirrje kryeministrit dhe nga Top Albania Radio… dhe në bisedë me të sa herë që flas ja përmend dhe i them që janë para që sporti i merr nga të ardhura dytësore”, tha ai.

Sipas Yllit, kryeministri e ka ndërmend rikthimin e basteve, por për momentin vëmendja është në gjëra më të rëndësishme jetësore.

“Kujtojmë, që nga 1 janari i vitit 2019, u mbyllën të gjitha pikat e basteve dhe kazinotë elektronike në Tiranë dhe në të gjitha rrethet.

Vendimi i qeverisë për të mbyllur brenda datës 31 dhjetor 2018, kazinotë elektronike, bingot tradicionale dhe bastet sportive, detyroi të gjithë këto biznese që të mbylleshin, ose të gjenin rrugë të tjera alternative për të mbijetuar”, shtoi Ylli.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re