Është zhvilluar në Bashkinë e Elbasanit takimi i radhës i grupit të punës midis Bashkisë, Ujësjellësit dhe Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me përmirësimin e shërbimit me ujë të pijshëm.

 

Vetëm dy ditë më parë Bashkia e Elbasanit nënshkroi marrëveshjen me bankën gjermane KFW e cila parahikon një investim prej 14 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm në qytet. Kryetari i Bashkisë Z. Llatja tha se tashmë investimi është gati dhe qytetarët do të furnizohen me ujë cilësor 24 orë pa ndërprerje:

 

“Dy ditë më parë Bashkia e Elbasanit nënshkroi marrëveshjen me KFË dhe përfaqësues të AKUM-it për investimet që do të bëhen në rrjetin e ri të ujësjellës kanalizimeve të Elbasanit. Eshtë një projekt ambicioz që kap një vlerë të konsiderueshme. Vetëm investimi për infrastrukturën e ujit në qytet arrin në rreth 14 milionë euro që do të konsistojë në një risistemim total të tubacioneve dhe i rrjetit të brendshëm të ujësjellës kanalizimeve të Elbasanit. Edhe ne si bashki kemi detyrime për të rritur performancën e ndërmarrjes së ujësjellësit, për ta bërë atë rentabël, për të parë kostot e ujit, ndërmarrja nuk duhet të dalë me humbje. Është një investim shumë ambicioz dhe ne shpresojmë që në fazën tjetër me mbështetjen e Bankës Botërore të nisin investimin për fshatrat. Por edhe kjo kërkon një mobilizim total të ndërmarrjes së ujësjellësit.”

 

Zv. Ministri i Infrastrukturës Hantin Bonati e vuti theksin tek mirëadministrimi i ndërmarrjes së ujësjellësit duke nënvizuar edhe qëndrimin e qeverisë për të mbështetur ato ndërmarrje që kanë ecuri pozitive.

 

 

“Elbasani është një nga bashkitë pilot në të cilat ne po punojmë për bashkëadministrimin e aseteve. Dy janë shtyllat kryesore në të cilat ne kërkojmë që të ketë një ritëm tjetër. E para lidhet më çështjet e infrastrukturës dhe e dyta lidhet me çështjet e administrimit Pjesa e infrastrukturës fondet tashmë janë disponibël, projektet nisin shumë shpejt, dhe kjo do të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme 24 h ujë për qytetin e Elbasanit. Pra, është adresuar çështja e investimit. Paralelisht me këtë ne po bëjmë dhe një investim me buxhetin e qeverisë, por mbetet për t’u adresuar çështja e fshatrave. Këtu po punohet me Bankën Botërore për të parë mundësinë e një mbështetje. Ajo që na mbetet kryesore është çështja e administrimit. Pra, këto investime nëse nuk kanë një administrim të mirë, koha ka treguar që nuk kanë pasur efikasitet. Janë bërë investimet, administrimit i keq ka çuar në degradim të rrjetit, lidhje të paligjshme dhe është prishur.”

 

 

Shumë shpejt pritet të nisë puna, falë investimit të KFË dhe Elbasani do të ketë furnizim 24orë  me ujë të pijshëm. Ndërsa problem mbeten fshatrat për të cilat Z. Llatja vuri në dukje se po punohet me Bankën Botërore për të siguruar një mbështetje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re