Xhaxhai i 30-vjeçarit që ka mbetur brenda në magazinën që po digjet pranë një qendre tregtare në mbikalimin e Kamëz u shpreh për Ora News se nuk ka informacion për nipin e tij.

Ai tha se nipi i tij ka shpëtuar punonjësit e tjerë dhe vetë ka ngelur brenda, si dhe shtoi se nëse nuk veprohet, ai do të futet vetë në magazinë.

“Unë jam xhaxhai i djalit që është brenda në magazinë. Djali e ka emrin Arjan Sala. Është shef i rojeve të sigurisë. Ngjarja ka mbi dy orë që ka ndodhur dhe zjarrfikësit kanë ardhur me shumë vonesë. Nuk reagojnë fare. Ai ka shpëtuar punëtorët dhe vetë ka ndalur brenda. Reagimi është i vdekur. Nuk na japin asnjëlloj sqarimi, vetëm të përplasemi me forcat e rëndit. Këtu po lozin me ne. Po erdhi pika zero ne do të futemi vetë brenda.”