Në 25 prill shqiptarët do të zgjedhin për herë të parë përveç partisë edhe kandidatin që ata duan t’i përfaqësojë në parlament.

Por socialistët preferojnë që fleta e votimit të ketë numra që përfaqësojnë secilën kandidaturë, ndërsa demokratët kërkojnë vendosjen e emrit të në fletën e votimit.

Damian Gjiknuri arsyeton per Vizion Plus se fleta e votimit duhet të jetë e thjeshtë, por demokrati Oerd Bylykbashi  thekson se kushtetuta i jep të drejtën qytetarëve të zgjedhin kandidatin për deputet dhe këtë parim duhet të reflektojë fleta e votimit

 

DAMIAN GJIKNURI

 

“Një kolonë mund të ishin partitë dhe subjektet dhe kolona , blloku tjetër mund të ishin qartësisht numrat ku do të identifikoheshin dhe të gjitha partitë listën e tyre do ta kishin publike, votuesit do ta kishin të qartë.” 

 

OERD BYLYKBASHI

 

“Është përpjekje për ta shifruar, për ta inkriptuar listën e hapur, për t’ia bërë shqiptarëve akoma më të mbyllur atë që ne kërkuam të ishte një listë realisht e hapur.”, tha ai per Vizion Plus.

 

DAMIAN GJIKNURI

 

“Sepse nëse emrat janë të shkruar në mënyre të tille që nuk i lexon njeri apo do të ishte e mbushur me shume zgjidhje Brenda një kolone shumë të ngushtë, atëherë do të kishim një konfuzion shumë të madh e do të kishim probleme shumë të mëdha me vlefshmërinë e fletës së votimit”

 

OERD BYLYKBASHI

 

“Kjo është shumë e thjeshtë nuk duan që shqiptarët të kenë mundësi të votojnë potencialin e kandidaturave të opozitës që nuk kanë asgjë që të krahasohen me kandidaturat e korruptuara të qeverisë.

 

Gjiknuri sjell shembullin e Tiranës për të ilustruar problemet që krijon vendosja e emrave në fletën e votimit; por Oerd Bylykbashi teksa flet per Vizion Plus, ofron shembullin e Holandës  e cila ka të gjithë emrat e kandidatëve për të gjithë vendin në fletën e votimit

 

DAMIAN GJIKNURI

“Nëse do të kemi shumë subjekte zgjedhore plus fleta e Tiranës që është me 36 kandidate sepse aq janë mandatet kjo do ta bënte të vështirë nga pikëpamja e administrimit për mendimin tim. Sepse qëllimi i ligjvënësit kur ka formuluar dispozitën e ka bërë në mënyrë të tille që do të mundësonte KQZ që të bënte një fletë të tillë që edhe te identifikohej vota e kandidatit por njëkohësisht të mos krijonte konfuzion.”

 

OERD BYLYKBASHI

 

“Po ju jap shembullin e Holandës, Holanda me një proporcional kombëtar në fletën e votimit një parti ka të gjithë listën e kandidatëve për parlamentin holandez, janë të gjithë me emra, po kështu është në Belgjikë po kështu është në të gjithë vendet që përdorin listën e hapur.”

 

Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri hartuan së bashku reformën zgjedhore, duke futur për herë të parë votën e emigrantëve aty ku jetojnë; sot të dy politikanet pranojnë per Vizion Plus se kjo nuk mund të aplikohet në këto zgjedhje, edhe pse për Gjiknurin ka ende kohe për ta zbatuar si projekt pilot.

 

OERD BYLYKBASHI

“Bllokimi i votës së emigrantëve ndodh për shkak të dështimit të qeverisë për t’i regjistruar emigrantët, janë vetëm 800 vetë më të drejtën e votës e nuk mund të funksionojë sistemi me kaq, e para. Se dyti mënyra e aplikimit të emigrantëve nuk jep asnjë lloj sigurie që adresa që ata deklarojnë është adresa individuale zyrtare që emigrantët kanë në shtetin përkatës dhe nuk është klubi i dikujt në Athinë apo në romë ku mblidhen 100, 200 vota që më pas manipulohet vota.”

 

DAMIAN GJIKNURI

“Zgjidhja më e mirë do të ishte një numër i vogël siguron një lloj integriteti më të madh e llogaridhënie më të madhe që edhe në rastin e një problem apo defekti, nuk ka ndikim në rezultat. “

 

Për të votuar qoftë edhe 800 emigrantët të cilët kanë regjistruar adresën, do të duhet që KQZ të miratoje procedurën se si këta qytetarë shqiptarë deklarojnë adresën e tyre, si verifikohet kjo adresë e më pas nëse ata do të votojnë me postë apo fizikisht në selitë e ambasadave; çështje këto që vështirë se marrin zgjidhje pas nga 25 prilli na ndajnë pak më shumë se dy muaj.