Kolegji Zgjedhor Zgjedhësor po shqyrton kërkesën e PD-së për të rrëzuar vendimin e KAS-it, në mënyrë që fleta e votimit në zgjedhje të jetë me emra sikur e vendosi KQZ dhe jo me numra, sikur e kërkon PS-ja. “Njerëzit identifikohen me emra dhe mbiemra, jo me numra” tha Ivi Kaso.

Kërkesës së PD-së në Kolegjin Zgjedhor për formatin me emra dhe jo me numra, iu bashkua edhe LSI-ja, e cila u pranua nga trupa e institucionit. Trupa përbëhet nga Asim Vokshi, Esmeralda Ceka, Gentian Media, Manjola Xhaxho dhe Alma Kolgjoka.

“E gjejmë të drejtë dhe me vend kërkesën e LSI-së në këtë proces, pasi janë subjekt i regjistruar për këto zgjedhje, pasi fleta e votimit ndikon direkt. Vlerësojmë që kërkesa duhet të pranohet” tha Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së.

Gjithashtu PD-ja kërkon që fleta e votimit me emra të jetë vertikale dhe jo horizontale sikur e miratoi KQZ. “Formati portret (vertikal) është më i përshtatshëm. I identifikon më mirë partitë dhe kandidatët. Ky model u mbështet nga qytetarët në 79% në sondazhin online të KQZ” tha më tej Kaso.

Shqetësimi i tretë i PD-së ishte logoja e Bindjes Demokratike, që sipas selisë blu shkakton konfuzion te fleta e votimit për shkak të ngjashmërisë. Logoja e re që solli BD, sipas PD sërish shkakton konfuzion, pasi “vizualisht është ende e tillë”.

“Logoja e Bindjes demokratike është e ngjashme me të Partisë Demokratike. Kërkojmë zbatimin e Kodit. Logoja ndryshohet nga partia më e re në regjistrin historik. Shkakton konfuzion, sepse ne e testuam me një sërë njerëzish” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re