Pedagogia Eleni Kocaqi e ftuar në emisionin ‘Fol me mua’ u shpreh se shoqëria jonë ka krijuar modele të këqija të elitës, duke përmendur elitën altrometrike dhe meritokratike, ku sipas saj vijojnë të kenë probleme.

Kocaqi tha se në kohën e komunizmit u lejuan të arsimoheshin njerëz të cilët ishin servila të partisë apo kishin miq, ndërkohë nga ana tjetër u burgosën dhe persekutuan intelektualët, kjo gjë solli prishjen e sistemit.

Sipas pedagoges Kocaqi, hapja e universiteteve private pa kriter e ka shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë, pasi ka krijuar elita fallco duke vendosur si drejtues në pozicione të ndryshme vendimarrëse persona që nuk e meritojnë.

Ajo gjithashtu ka theksuar se punësimi në shtet duhet të bëhet si në privat, pra të përzgjidhen kandidatët jo të zgjidhen.

“Kemi dy modele shumë të këqija të elitës. Në radhë të parë në kemi elitë altrometrike dhe meritokratike. Elita meritokratike ka probleme dhe elita altrometrike ka probleme. Meritokratike është stafet akademike, njerëzit që kanë një pozicion të caktuar në bazë të meritës, titujve dhe kjo ka probleme.

Ne historikisht kemi pasur probleme me elitën sepse në momentin që ti shkolloje vetëm në kohën e komunizmit atë që jo ishte i aftë, por atë që kishte mik ishte komunist, apo ishte me partinë dhe ai mund të mos ishte i aftë përzgjedhja ishte e gabuar dhe ajo rrëzoj dhe sistemin. Sepse ti duke shkolluar njerëz që ishin servila të partisë dhe nuk le njerëzit që ishin intelektual të vërtetë atëherë ti e prishe vetë sistemin.

Dhe duke persektuar intelektual dhe duke i burgosur pra u prish kjo traditë. Me ardhjen e demokracisë përsëri kishim një problem me ardhjen e elitave sepse nga vitet’90 deri në vitet 2000 duhet të vinin në shkollë të persekutuarit gjasme dhe shumë pak ishin nga këta që vinin me meritë, prap gabim i komunizmit 10 vjet.

Për mua ka qenë vetëm faza që mund të krijonte elitë Shqipëria futja e konkursit në universitet që është bërë nga qeverisja Nano në atë kohë, kjo ka qenë më e mira që ka bërë ai për mua dhe kjo vazhdoj nga vitet 1999 deri në vitet 2006-2007 që u vendos matura shtetërore që kjo për mua ishte gabim.

Dhe hapja e universiteteve private pa kriter, kjo ka shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë për 30 vjetët në vazhdim, sepse këto janë elita fallco të cilët ti i ke në pozicione politike, drejtuese. Në vendimarrje duhet të jenë meritokratë për mendimin tim. Sistemi demokratik është parë që në çështjet e ekonomisë është i dështuar për arsye sepse ti administron para publike dhe ti paranë publike mund ta administrojë një personë që nuk është fare kompetent për këtë dhe person që nuk din ta bëjë këtë gjë.

Në shtet duhet të bëhet punësim siç bëhet në sektorin privat dhe jo zgjedhje, por përzgjedhje e individit. Jo ministër mund të bëhet çdo kush, por ministër mund të bëhet personi që ka mbaruar doktoraturën në atë fushë, që është i aftë. Ne vuajmë vetëm për njerëz dhe ky popull vuan vetëm për qeverisje se ne kemi burime.

Ky popull ka gjithçka. Por ti je vendi i parafundit në Evropë për GDP për frymë, sepse qeverisesh nga persona jokompetent të cilët nuk dijnë të qeverisin edhe as duan të qeverisin sepse janë aty për karrierën dhe egon e vet personale dhe nuk janë për të qeverisur të tjerët”- tha Kocaqi.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re