Gjykata Kushtetuese u mblodh sot në një seancë për shqyrtimin e çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Palët diskutuan pretendimet e tyre për gati një orë e gjysmë, ndërsa vendimi do të jepet pas disa ditësh nga Kushtetuesja.

Pak pas përfundimit të mbledhjes, avokati Jordan Daci, i cili është përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive i ka qëndruar të njëjtave pretendimeve që ka ngritur edhe më herët. Shoqata kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe përsëritjen e tyre.

Gjatë një prononcim për mediat, ai tha se të gjitha palët nuk do të dalin të humbura dhe se do të fitonte demokracia.

“Kemi kënaqësinë që të themi për publikun se ky është një proces që asnjë palë s’do të dalë e humbur. Do të fitojë demokracia. Përtej asaj që ka thënë Venecia, zgjedhësve duhet t’u jepet një kuptim i ri për zgjedhjet. Zgjedhësit duhet te kenë te drejte te zgjedhin. Ndaj zgjedhjet e 30 qershori nuk ishin në përputhje me parimet e Komisionit të Venecias. Ky opinion nuk është detyrues dhe as i saktë.

Në paragrafin 47 e pranon. Në 28 e mohon. Nga ana tjetër unë bërë pyetjen; nëse nuk është gjykata kushtetuese, kush është atëherë?! Përse komisioni i Venecias nuk anashkalon me qëllim këto vendime. Ka kompetencë.

Në Republikën e Shqipërisë opinioni i referohet tre pyetjeve ndërsa komisioni ka 30 pyetje të tjera. Komisioni thotë që Gjykata ka vendime kushtetuese, mund të merret me legjislacionin zgjedhor. Ne mendojmë që ka kompetencë dhe Gjykata Kushtetuese do e gjykojë.”, tha Daci në një prononcim për mediat.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet, në të cilat opozita nuk mori pjesë.

Çështja për zgjedhjet e 30 qershorit ishte pezulluar në pritje të përgjigjes nga Komisioni Venecias. Shoqata e Bashkive i është drejtuar me një padi gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në përcaktimin e seancës që rikthen çështjen për shqyrtim, Kushtetuesja argumenton se është konstatuar se ka rënë shkaku i pezulit të procesit, kjo për faktin se Komisioni i Venecias iu përgjigj pyetjeve të gjykatës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re