Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndëpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Admnistrative të Shkallës së Parë Durrës, Ergys Gashi pas dorëheqjes së tij rreth një vit e gjysmë pasi kishte nisur hetimi administrativ. Gashi ishte emëruar si gjyqtar katër vite para dorëheqjes.

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 28 qershor 2021 të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Ergys Gashi, për shkak të dorëheqjes së tij – si dhe ti ndalojë atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Ergys Gashi përfundoi studimet e magjistraturës në vitin 2016 dhe në shkurt të 2017-ës u caktua si gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës ku e ushtroi këtë funksion deri në momentin e dorëheqjes.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se hetimi administrativ për gjyqtarin Gashi ka nisur më 16 dhjetor 2019. Një vit e gjysmë më vonë, më 10 maj 2021, subjekti ka informuar nëpërmjet postës elektronike se kishte paraqitur kërkesën për dorëheqje nga detyra në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

KLGj ka informuar Komisionin se më datë 7 maj është pranuar kërkesa për dorëheqje dhe është deklaruar mbarimi i statusit të magjistratit për gjyqtarin Ergys Gashi. Vendimi i KLGj-së nuk është ankimuar nga gjyqtari Gashi, i cili ka shprehur vullnetin e tij se nuk dëshiron të dëgjohet në seancë dëgjimore.

Duke iu referuar legjislacionit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Alma Faskajn, ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit për Gashin, si dhe t’i ndalojë atij emërimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re