Grevistët e fshatit Lumas janë sot në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë. 5 grevistët që janë ngujuar që prej ditës së Martë në një godinë përballë zyrave të ish/komunës Lumas janë përkeqësuar nga ana shëndetësore.

Tre prej grevistëve janë më të agravuar se dy të tjerët pasi kanë probleme me hipertensionin dhe aritminë.

Mjekë e infermierë të Qendrës Shëndetësore Lumas vizitojnë çdo ditë grevistët dhe deklarojnë se gjendja shendetësore e grevistëve po përkeqësohet nga dita në ditë.

Sipas tyre grevistët po shfaqin probleme me hipertensionin, këputjen trupore dhe aritminë, ndërkohë që 3 prej grevistëve kanë marrë serum ditën e djeshme dhe gjatë natës.

Vetë grevistët kanë deklaruar çdo ditë se, edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë. Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar nqs nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Beteja për ujin e burimit të Sinecit vazhdon prej 4-muajsh,duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes banorëve me policinë.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re