Është prezantuar sot raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë. Ka qenë Guvernatori i BSH-së, Genti Sejko ai që ka bërë një përshkrim të detajuar të raportit vjetor.
Duke iu referuar të dhënat të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë 2024-ës, i mbështetur nga rritja e konsumit.
Ai shtoi se kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritje të importeve. Sejko pohoi se rritja ekonomike është mbështetur nga rritja e sektorit të ndërtimit.
Duke vijuar me shifrat, Sejko tha se sipas NSTAT, numri i të punësuarve në sektorin jo bujqësor u rrit me 3% dhe numri i papunësisë ishte në normën e minimumit historik 8.5% në 2024 dhe 8.3% në 4 muajt e 2025-ës.
PREZANTIMI I SEJKOS
Dëshiroj ta filloj këtë komunikim, duke ju falënderuar për ftesën dhe mundësinë e prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024.
Si gjithnjë, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë e shikon këtë prezantim jo vetëm si një moment esencial në përmbushjen e detyrimit të saj për transparencë dhe llogaridhënie para Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si një platformë të çmuar shkëmbimi idesh e pikëpamjesh mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe mbi sfidat e së tashmes dhe së ardhmes.
Përpara se të vijoj më tej, gjej me vend të theksoj se ky prezantim fokusohet në punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë përballë zhvillimeve ekonomike e financiare të vitit 2024.
Megjithatë, në interes të ruajtjes së aktualitetit të këtij komunikimi, unë do të evidentoj edhe zhvillimet kryesore të vitit 2025 dhe një përmbledhje të shkurtër të punës sonë gjatë këtij viti.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë është orientuar drejt përmbushjes së detyrave tona ligjore, të cilat fokusohen në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, mbështetjen e stabilitetit financiar, si dhe nxitjen e zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave.
Paralelisht me to, kemi punuar për përmbushjen e angazhimeve tona institucionale, e veçanërisht për mbështetjen e procesit të integrimit evropian, si dhe kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2024.
Më lejoni t’i shtjelloj me radhë këto tema, duke filluar nga zhvillimet ekonomike dhe politika monetare.
Ekonomia, inflacioni dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave të turizmit.
Kahu pozitiv i zhvillimit të ekonomisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025, me një rritje ekonomike prej 3.6% për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Kjo ecuri pasqyron kontributin e disa faktorëve, ndër të cilët gjej me vend të nënvizoj gjendjen e mirë financiare të sektorit privat, klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit.
Nga ana tjetër, kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritjen e importeve, ndërkohë që eksportet e mallrave janë frenuar.
Ky frenim ka pasqyruar rënien e çmimeve dhe ngadalësimin e tregtisë botërore, problemet specifike të disa sektorëve eksportues, si dhe rritjen e kostove të prodhimit në përgjigje të rritjes së pagave dhe të forcimit të kursit të këmbimit.
Në aspektin sektorial, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit.
Rritja e kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua dhe në tregun e punës.
Sipas të dhënave të Instat-it, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% gjatë vitit 2024 dhe 4.3% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ndërsa norma e papunësisë regjistroi minimume historike, prej respektivisht 8.8% në vitin 2024 dhe 8.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Rritja e kërkesës për punë nga bizneset dhe mungesa e fuqisë punëtore, kanë sjellë rritjen e pagave në sektorin privat, me një mesatare vjetore prej 8.6% për vitin 2024 dhe 9.5% për gjashtëmujorin e parë 2025.
Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie, duke zbritur nga niveli mesatar prej 4.8% në vitin 2023, në 2.2% për vitin 2024 dhe tre tremujorët e parë të vitit 2025.
Reduktimi i inflacionit është nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, forcimi i kursit të këmbimit dhe zbatimi i një politike monetare proaktive e të balancuar.
Për rrjedhojë, inflacioni i importuar ka shënuar një rënie të shpejtë, ndërsa presionet nga ekonomia vendase janë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se balancat e brendshme dhe të jashtme të ekonomisë janë përmirësuar, ndërsa kapacitetet e vendit për të përballuar goditje potenciale janë forcuar.
Në këtë kontekst, dëshiroj të veçoj tre zhvillime të rëndësishme:
Së pari, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.
Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove.
Po ashtu, remitancat arritën 1 miliardë euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliardë euro.
Të tre këta tregues kanë vijuar të rriten edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025: eksportet totale u rritën me 6.1%, remitancat me 4.3%, ndërsa investimet e huaja direkte me 1.1%.
Në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar vlera të larta pozitive gjatë tre viteve të fundit.
Deficiti i llogarisë korrente ka zbritur nga një nivel mesatar prej 1.2 miliardë eurosh në vitet 2020-2022, në 0.45 miliardë euro për vitet 2023-2024.
Niveli i mbulimit të deficitit të llogarisë korrente nga investimet e huaja direkte ka arritur një mesatare prej mbi 200% gjatë dy viteve të fundit, çka ka gjeneruar një tepricë oferte në tregun e brendshëm dhe forcimin e kursit të këmbimit të Lekut.
Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.5% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 46.2% në fund të vitit 2023.
Po ashtu, rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, një tregues kyç i qëndrueshmërisë financiare të vendit, i janë afruar nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar një garanci të rritur për investitorët e huaj.
Së dyti, pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së për fundin e vitit 2024.
Së treti, sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues. Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave.
Në pasqyrim të këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka njohur për herë të parë në historinë e saj post-tranzicion, përmirësim të vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, çka kontribuon në uljen e kostove të financimit në tregun e huaj për sektorin publik dhe atë privat.
Kjo tablo dëshmon si kontributin e sektorit privat, ashtu edhe harmonizimin e mirë të politikave makroekonomike. Në veçanti, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka mundësuar vënien e inflacionit nën kontroll, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.
Pas një faze normalizimi gjatë viteve 2022 – 2023, qëndrimi i politikës monetare u bë më akomodues gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 dhe vitit 2025.
Kjo qasje u diktua nga nevoja për të rikalibruar kushtet monetare në një ambient me inflacion në rënie, në funksion të përmbushjes së objektivit tonë të inflacionit brenda një kohe sa më të arsyeshme dhe me një ndikim sa më minimal në ekonomi.
Në këtë kuadër, ne ndërmorëm dy ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 3.25% në fillim të vitit, në 2.75% në fund të vitit 2024 dhe në 2.5% në muajin korrik 2025.
Paralelisht me të, ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025.
Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative apo rritjeje të volatilitetit të kursit.
