Skip to content

Hetimet për “të mëdhenjtë”

Drejtori i policisë kriminale Eduart Merkaj ishte në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mesditën e kësaj të hëne.

 

Mësohet se zyrtari i lartë i policisë së shtetit pati një takim me drejtuesen e prokurorisë Donika Prela, e cila ka vetëm disa ditë që është emëruar në krye të akuzës së Krimeve të Rënda.

 

Ndonëse ende nuk konfirmohet zyrtarisht mësohet se pjese diskutimeve ishin hetimet për ish-prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla, por edhe dosja Tahiri- Habilaj si dhe veprimet e prokurorisë për rastin.

 

Fill pas drejtorit të Policisë Kriminale në ambientet e prokurorisë së krimeve të rënda mbërritën dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane.

 

Hetimi për ish-prokurorin e përgjithshëm u regjistrua fillimisht në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u transferua tek Krimet e Rënda, e cila do të konvertohet në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion.

 

Mbi Adriatik Llallën rëndojnë akuzat e “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.