Godina e Teatrit Kombëtar u shemb gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Fadroma i nguli dhëmbët, duke lënë pas vetëm rrënojë, mbi të cilat pritet të ngrihet godina moderne, e cila do të tregojë që ai shesh ka lindur në vitin 2020 dhe jo në shtatorin e vitit 1939.
E mes rrënojave, mbetën edhe lotët e artistëve që lanë shpirtin çdo natë duke u grumbulluar dhe duke kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian e ambasadast, për të ndaluar prishjen e kësaj pasurie kombëtare, por nuk ja dolën dot.
Fillimisht, toka e Teatrit Kombëtar i përkiste familjes së hershme Libohova dhe u ble për interes publik. Projekti për Teatrin Kombëtar nisi në fillim të janarit të vitit 1938 dhe përfundoi një vit më pas, në 1939, në muajin shtator.
Projekti u porosit nga Mbretëria Shqiptare me në krye Ahmet Zogun dhe është e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berte.
Mbretëria e Shqipërisë e kërkoi këtë plan në bazë të marrëveshjes italo-shqiptare të janarit të 1938, në kuadër të planit rregullues të qendrës së Tiranës. Aty u vendos edhe rrethi italo-shqiptar “Skënderbeu”, si qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, e ndërtuar nga firma “Pater”. Sipërfaqja tokës së dhënë për projektin e sheshit përfshinte 13 mijë m2.
Brenda godinës ishte biblioteka, zyra e informacionit, zyra e përkthimit letrar, etj. Funksionet kulturore dhe sportive, godina vazhdoi t’i ushtronte edhe pas pushtimit italian.
Pas kapitullimit italian, ndërtesa ndërroi emër dhe u quajt Kinema “Kosova”. Më 1945 iu bë edhe ndryshimi i fundit, duke u shndërruar në Teatër Popullor. Disa vite më pas u quajt Teatri Kombëtar.
Aktorët të parë të Teatrit Profesionist që u ngjitën në skenë ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Me vonë erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu.
Mbi këtë skenë janë ngjitur dhjetëra vepra artistike, kujtojmë këtu edhe ato që janë ngjitur edhe në skenat botërore, si: “Othello”, “Intrigë dhe dashuri”, “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Arturo Ui”, “Nata e dymbëdhjetë”, ‘Prometheu”, etj.
E ndërsa sot, 81 vite më pas, artistët që u ngjitën më radhë dhe mbajtën karrierën gjalël në ato mure, u ndanë në dy kampe, ata që dëshironin një godinë të re moderne dhe ankoheshin për kushtet brenda Teatrit Kombëtar dhe ata që kërkuan të ruanin kulturën dhe muret e vjetra që ruanin historinë e tyre.