Në repartin e kardiokirurgjisë dëgjoheshin veçse ‘bip-et’ e makinerive të pacientëve. Në njërën prej dhomave ndodhet Mauricio, një i ri i sapotransferuar aty nga reparti i kujdesit intensiv. Në dhomë me të është është e shoqja Silvia. Me flokët e mbledhura, ajo i qëndron krah të shoqit thuajse të gjithë ditën.

Mauricio mund të flasë, por e pret një rrugë e gjatë. Pak kohë më parë, për mjekët i riu ishte një ndër ata pacientë që nuk kishte shpëtim.

Mauricio e Silvia njihen prej vitesh. Bashkë u lidhën në vitin 2016 dhe dasmën e kishin lënë ta zhvillonin më 2020. Së bashku janë bekuar me një vajzë, e cila tashmë është dy vjeçe. Dasmën veçse s’mundën ta organizojnë për shkak të pandemisë, e cila goditi rëndë Italinë.

Pak kohë më parë, Mauricio përfundoi në spital me probleme me zemrën. Një atak kardiak. Mjeku që e ndoqi të riun, kuptoi se shanset për të ishin të pakta, pasi zemra e tij nuk mund të rikuperohej më.

“Kur pacienti erdhi tek ne, kuptuam se situata e tij ishte komplekse dhe vendosëm ta mbajmë pacientin me një sistem të qarkullimit ekstrakorporal (jashtë trupit). Vetëm kështu patëm mundësinë për ta stabilizuar gjendjen, por tashmë nuk ishte më e mundur për të rikuperuar zemrën e tij, kësisoj e vendosëm në listën e pritjes për një transplant.”- shpjegoi profesor Massimo Boffini.

“Ishte një ditë tepër e trishtë kur Mauricio u vendos në listë, nga një anë ishte një mundësi, por nga ana tjetër ne nuk e dinim nëse trupi i tij do të mund të priste një zemër të re”-kujton e shoqja, Silvia.

Në këto kushte, duke patur frikë për më të keqen, Mauricio i kërkon të shoqes atë që duhej të kishin bërë dy vite më parë, martesën.  Të rinjtë martohen në spital, komuna e Torinos dërgon atje një zyrtar ndërsa punonjësit e spitalit zbukurojnë dhomën me lule.

“Ishte e bukur të martohesha, të gjithë na qëndruan pranë. Nuk ishte martesa që ne donim, por sërish ishte një ditë e paharrueshme… por në mbarim, sigurisht që mbetej në mendje ideja, për sa kohë do të jem e martuar me tim shoq”-kujton Silvia.

Por gjithçka do të ndryshonte, një ditë pas martesës. Një telefonatë erdhi në spital, për të lajmëruar se kishte një zemër për Mauricion.

Ekipi i mjekëve në Torino kreu analizat e duhura dhe e dërgoi të riun në operim.

“Ishte një mrekulli. Jam besimtare dhe kurrë nuk kam ndaluar në lutje. Kurrë nuk i humba shpresat dhe besimim”-tregoi Silvia.

Ndërhyrja shkoi me sukses e tashmë Mauricio nuk rrezikon. E pret një rrugë e gjatë drejt rihabilitimit të plotë, por tashmë e bija e tij nuk do të mbetet pa baba.

“Tashmë im shoq po rikuperon, mezi pret që të ketë mundësinë që të marrë të bijën në krahë e që të kthehet në shtëpi, që më në fund… unë dhe ai të plakemi së bashku”-tregoi Silvia.

Burimi: Fanpage.it

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re