Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi sot se brenda muajit mars në Kosovë pritet të mbërrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozash të vaksinës nga COVAX.

Lajmi u dha në rrjetet sociale nga Hoti, pas një takimi me krerët e Shëndetësisë në vend: “Përsa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozash të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti Covid-19, – tha Hoti, – ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë.”

Kryeministri në detyrë po ashtu sqaroi se: “Në takim me ministrin e Shëndetësisë Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së Krasniqi biseduam për situatën epidemiologjike kundër COVID-19.

Pasi vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë Covid-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre.

Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intenzivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor.

Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, kërkuam që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi.

Po ashtu, nga të gjithë qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re