Avdullah Hoti ka folur për herë të parë si kryeministër i Kosovës. Ai ka thënë se është shumë i kënaqur pas seancës dhe për programin e përbashkët qeverisës në koalicion.

Ndër të tjera ai ka thënë se dy prioritetet e qeverisë janë pandemia dhe rimëkëmbja duke premtuar se qeveria e tij do i dalë zot këtij vendi.

“Sot në seancën e Kuvendit, jam shumë i kënaqur që përfundimisht kemi bërë bashkë që program qeverisës që i adreson nevojat e shtetit që është lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike dhe me nismat menjëherë që do t’i nisim menjëherë edhe me pakot për rimëkëmbje. Unë jam i bindur me koalicionin që kemi ndërtu do t’i dalim zot këtij vendi”, tha Hoti.

Mesazhi i Thaçit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë së re.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit.

Postimi i plotë:

I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re