Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij, ka komentuar sërish për lënien në fuqi të non-gratës nga Britania. Berisha u shpreh se “përsëriten të njëjtat shpifje të turpshme”. “Të dashur miq, përsëri po të lexoni vendimin, përsëriten të njëjtat shpifje të turpshme për lidhjet me krimin, sillet shembulli i Fatjon Dautit, një person që nuk e kam takuar kurrë në jetën time, që edhe vetë thonë se nuk provojmë se ka lidhje, por ka lidhje. Imagjinoni pak se si kërkon Edi Rama me korrupsion transnacional të mbrojë lidhjet e tij me krimin, të mbrojë vizitat e Sinaloas në zyrën e tij, licencën që u jep bosëve të kartelit më të rrezikshëm në botë, Sinaloas. Se si kërkon Edi Rama me korrupsionin transnacional, me McGonigalë dhe ambasadorë, të mbulojë investitorët e tij strategjikë të llojit Pëllumb Gjoka. Të mbulojë transportin me avionin e tij Ismail me baule diplomatike të ngarkesave të tmerrshme, drogë dhe narko-euro. Se si kërkon Edi Rama të mbulojë procesin e shndërrimit të Shqipërisë në narko-shtet. Miqtë e mi, në pretendimet e tjera, shtrojnë problemin e piramidave. Skemave piramidale të 27 viteve më parë, për të cilat nuk ka pasur njeri në botë që mund të ngrejë një akuzë për Sali Berishën. Askërkush. Kurrë. Por e vërteta është, me gjithë dhimbjen që kam pasur dhe kam për atë krizë, shpreh një mirënjohje të veçantë ndaj parlamentit britanik, i cili në raportin e tij të vitit 2009 për piramidat më gjigante që shpërthyen në City-n e Londrës, shkruan: ky raport titullohet ‘Vjedhja më e madhe në histori’, dhe shkruan, bankierët, tregtarët, financierët e City-t ndërtuan skemën piramidale më të madhe të kohërave, por sot gangsterët e Tiranës që ndërtuan firmat piramidale, i kanë lakmi këta zotërinj që u sollën njëlloj si ata, sepse gangsterët e Tiranës u burgosën njëri pas tjetrit dhe se ligji atë kërkonte. Sepse kompanitë e tyre u falimentuan njëra pas tjetrës dhe se ligji atë kërkonte. Dhe se qeveria e Tiranës nuk vendosi një qindarkë në skemat, ndërkohë që në Britaninë e Madhe asnjë njeri nuk u përball me ligjin dhe qeveria injektoi sasi kolosale parash në piramidën më të madhe në histori. Pra, në qoftë se në Britani për këtë nuk lëvizi kush në vendin e punës, sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore të Sali Berishës si provë për të ndëshkuar, për të përjashtuar atë”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re