Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i kwrkoj sot Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani qw të nisë hetimin për tre prokurorë të Dibrës, mes tyre edhe kryeprokurorin e këtij institucioni.

Dy prokuroret, për të cilat kërkohet hetim janë Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj, që janë marrë me hetimet e dosjes së bujshme 184 për krimet zgjedhore në Dibër, si dhe kreu i prokurorisë Dibër, Rifat Kojku.

Çela i ka kërkuar ILD të nisë hetimet për shkeljet individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroren Zeneli dhe Mehmetaj, ndërsa për Kojkun kërkohet nisja e hetimit për mënyrën se si janë ushtruar kompetencat, në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Por çfarë thuhet në dosjen që i ka mbërritur Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela?

Për prokuroren Xhoana Mehmetaj nga ana e Drejtorisë Gjyqësore pranë Prokurorit të Përgjithshme, Olsian Çela, në datën 26 janar të 2021, janë paraqitur disa konstatime që kanë të bëjnë me moskryerjen e asnjë veprimi procedural nga ana e prokurores Mehmetaj, për një kohë të gjatë në lidhje me këtë procedim penal, siguron “Top Channel”.

“Konkretisht Prokuroria e rrethit Gjyqësor Mat i ka kaluar aktet e këtij kallëzimi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, më datë 30.06.2020. Këto akte kanë mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër më datë 10.07.2020, kohë kur është regjistruar në këtë prokurori me Nr.421, datë 10.07.2010”, thuhet në dosje, ndërsa shtohet se për rreth gjashtë muaj, Prokuroria e Dibrës, e ka mbajtur materialin pa asnjë veprim.

Nga analiza e të dhënave statistikore të dala nga ky raport, rezulton se ngarkesa e referuar për prokuroren Xhoana Mehmetaj, është nën mesataren e ngarkesës vjetore të prokurorëve të kësaj prokurorie. Konkretisht prokurorja Mehmetaj, ka përfunduar 52 procedime penale kundrejt një numri 3 herë më të madh të procedimeve të përfunduara nga dy prokurorët e tjerë të kësaj prokurorie.

Ndërsa prokurorja Belina Zeneli ka përfunduar 20 procedime penale nga 207 që ka pasur nën hetim, numër ky disa herë më i vogël se totali i procedimeve penale të përfunduara nga kjo Prokurori gjatë vitit 2020.

Ajo që bie në sy nga analiza e raportit vjetor është fakti se prokurorja Zeneli, nuk ka bërë regjistrimin e asnjë materiali kallëzues apo referues gjatë vitit 2020, megjithëse ka mbartur një numër prej 399 materialesh procedurale. Një numër kaq i madh materialesh të paregjistruara, sipas raportit, përbën mosangazhim procedural të kësaj prokuroreje, për të vendosur brenda 15 ditësh, mosfillimin apo regjistrimin e procedimit penal, duke cenuar interesat e subjekteve të interesuara.

“Nga ana e tjetër, mosregjistrimi i 399 materialeve hetimore, dhe mbajtja e tyre në dorë, rezulton nisur nga numri i madh i tyre, të jetë rezultat i akumulimit prej një kohe të gjatë dhe moskryerja e asnjë veprimi nga ana e prokurores Zeneli.

Një situatë e tillë, mendojmë që ka ardhur dhe nga mosushtrimi i funksioneve të ngarkuara me ligjin Nr 97/2016 dhe nga ana e drejtuesit të prokurorisë. Konkretisht në ligjin Nr 97/16 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, parashikohen këto kompentenca për drejtuesin e prokurorisë”, thuhet në dosje për prokuroren Zeneli.

Sa i përket drejtuesit të kësaj Prokurorie, Rifat Kojku, në dosje citohet se nuk i ka ushtruar këto kompetenca ligjore, duke sjellë si pasojë mosushtrimin e ndjekjes penale, për një numër tepër të madh materialesh procedurale, si dhe për zvarritjen e një numri procedimesh penale, të cilat kanë qenë në hetim nga prokuroret Blerina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.

Po ashtu nga Kojku nuk rezulton të jetë kërkuar informacion për çështjet, të jenë kontrolluar këto materiale hetimore, apo të ketë marrë masa për evidentimin e këtyre problematikave dhe adresimin e tyre në organet e ngarkuara me inspektimin e punës së prokurorëve.

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re