Në një intervistë për “ABC News” futbollisti shqiptar Xhoni Mustafaraj nga Vlora, i cili jeton në Itali bashkë me familjen, ka treguar rrjedhën e historisë nga fillimi i shenjave të para të koronavirusit deri në momentin e daljes nga terapia intensive.

Mustafaraj është futbollist profesionist dhe luan në kategorinë C të Italisë. Ai ka treguar se simptomat e para të koronavirusit i ka pasur që në 1 shkurt. Gjithashtu ai ka rrëfyer edhe se si e ka përjetuar përballjen e kësaj sfide me COVID-19.

“Ishte e shtunë dhe isha nisur për të shkuar në një ndeshje futbolli. Një ditë më parë e ndjeva që kisha temperaturë, pavarësisht kësaj unë luajta edhe mu desh të sforcohesha shumë. Pas ndeshjes u ktheva në shtëpinë, por e kisha lënë më miqtë që do të dilnim në shtëpinë e një shoku në Pavia, në darkë. Kur arrita në shtëpinë e tij, nuk mundja dot të lëvizja, kisha temperature dhe nuk merrja frymë.

Në ato momente mora prindërit në telefon për të shkuar në shtëpi pasi nuk ndihesha mirë. Më morën dhe u ktheva në shtëpi, por sërish kisha probleme me frymëmarrjen. Më pas prindërit telefonuan spitalin e Lodit dhe më pas u shtrova në urgjencë.

Fillimisht më bënë analizat e gjakut dhe vlerat e analizave të mia ishin shumë të larta, CpH. Vlera që kishte arritur ishte 128 mijë, dhe menjëherë pas këtyre rezultateve mjekët më çuan në terapi intensive. Në terapi qëndrova 26 ditë”, tregon Mustafaraj për “ABC News”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re