Policia ka gjobitur me një gjobë prej 50 milionë lekësh të vjetra kandidatin e LSI-së për deputet në qarkun e Korçës Endrit Braimllari, për shkak se kishte organizuar një takim politik, në shkelje të rregullave të pandemisë.

Po ashtu është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra dhe pronarja e lokalit ku ka zhvilluar takimin Braimllari. Ky ndëshkim i tyre vjen dy ditë pas paralajmërimit që bëri kryeministri Edi Rama, se nuk do të tolerohej asnjë politikan që zhvillon takime elektrorale në kushte pandemie.

Njoftimi i Policisë:

Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.

Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.

Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re