Arkeologu Neritan Ceka i ftuar në emisionin ‘Identitet’ foli mbi gërmimet që janë zhvilluar në qytetin antik të Finiqit, ndryshe i njohur edhe me emrin Foinikia.

Sipas Cekaj gërmimet e para arkeologjike kanë filluar në vitin 1924 nga Luigi Ugolini. Ndër të tjera, ai thotë se edhe pse kane kaluar 100 vite nga shkelja e parë e arkeologëve, ky qytet është ende në fillimin e gërmimeve.

“Është një fatkeqësi e arkelogut kur mendojmë që Luigi Ugolini u apasionua veçanërisht pas madhështisë së Finiqit. Në një farë dileme Finiqi apo Butrinti dhe zgjodhi Finiqin si fillim dhe vizita e tij e parë është në vitin 1924. Pastaj është qendra e parë që gërmon dhe e lë në vitin 1928 pasi transferohet në Butrint. Është Budina që i kthehet prapë në vitet ’80 bashkë me Astrit Nanajn.

Dhe pastaj në vitin 2000 është e treta herë që arkeologët kthehen përsëri në një ekip më të artikuluar si bashkëpunim i institutit të arkeologjisë dhe universitetit të Bologna-s. Janë gërmime që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Pra është një histori e gjatë që tregon jo vetëm pamundësinë e arkeologjisë për t’i përfshirë në një goditje të vetme qendrat të tilla të mëdha siç është Finiqi. Është dy herë më i madh se Bylisi. Mund të themi se gati pas 100 vjetësh nga shkelja e parë e arkeologëve është një qytet ende në fillim të gërmimeve arkeologjike”- u shpreh Ceka.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re