Nga: Alban Gorishti

Në itinerarin e zakonshëm sytë më shkuan tek gardhi i nje varreze, ekzaktësisht tek kurorat me lule që ishin hedhur jashtë territorit të varrezës, si mbetje tashmë pavlerë të asaj varreze. Me sa e njoh tregun çmimi i tyre varion nga 20 mijë lekë e sipër. Ky preokupim më erdhi kur pashë se në ato kurora ishin shkruar dedikime nga më të ndjerat për personin që kishte ndëruar jetë por që tashmë ato dedikime ishin në proçes të pashmangshëm destruktiv. E gjitha kjo më kujtoi inflacionin e madh mendor që ka pësuar ky komb pasojë e të cilit besoj se është edhe Inflacioni kulturor apo ekonomik.

Nuk po i futem analizave ekonomike sesa dobi mundet të bënin ato lekë, që tashmë “dergjen” pajetë përtokë, nëse do investoheshin në sektorë të tjerë të prekshëm dhe jetësor. Sa gjëra humane mundet të bëheshin me ato “dedikime” të cilat nuk i konsumon dot më as edhe një kafshe barngrënëse, pasi në këndvështrimin tim humanizmi nuk matet me dedikime postmortum dhe as investim në agjenci funereale por me përkujdesje që asgjë mos të shkojë dëm sidomos në nivele politikash sociale të cilat ndikojnë drejtpërdrejt që kujdesi ndaj njerëzve mos të jetë një dukuri e cila e shfaq interesin e vet vetëm në momentin kur ata të kenë kaluar në botën tjetër por të jetë mbi të gjitha një strategji e gjallë e cila i kushton rëndësi vlersimit të mendjes si simbolikë e vlerësimit të pasurisë dhe aseteve sociale.

Le të shohim një shembull të gjallë të asaj për të cilën fola më sipër, një shembull sesi islami i trajton asetet psikologjike si vendimtare edhe për ardhmërine politiko-ekonomike. Tregohet se Umeri ibn Hatabi mbërriti në tokat e Shamit dhe atje e pritën prijësit të veshur me veshjet më të shtrenjta . Ai mori disa guralecë në dorë dhe para se ta takonin i godiste duke i thënë: Sa shpejt u janë rritur barqet? Mua më prisni me këto rroba? Dy vjet kini që ngopeni. Betohem se sikur ta bëni edhe pas 100 viteve Allahu do tu këmbejë me të tjerë .Ata i thanë: O prijësi i besimtarëve: Janë rroba të fryra dhe aty mbajnë armët –domethënë i fshihnin armët poshtë rrobave që armiku të mos i kapte në befasi, sepse ishin në armëpushim me ta, por jo nga shëndoshja dhe rrobat e bukura.Omeri u tha: Shumë mirë atëherë” Historiku i Taberiut 4/158 Është e habitshme largpamësia e Umerit sesi kuptoi se abuzimi me asetet e përbashkëta apo keqmenaxhimi i tyre nese vazhdon për kohë të gjatë mundet të çonte në këmbimin e tyre me njerëz të tjerë pra për shkak të mos vlerësimit të duhur të statusit njerëzor dhe rindërtimit shpirtëror gjatë jetës së tyre.

Në mëngjes duke shoqëruar vajzën e madhe iu afrova dhe i thashë: Të keqen babi mos harro se sa më e madhe të bëhesh aq më shumë zmadhohet edhe gabimi dhe pesha e tij, te prindërit e tu të cilët janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i dashurisë apo zemërimit të Zotit, sa më tepër të gëzohen prindërit aq më shumë gezohet me ty edhe Allahu (dhe anasjelltas) ndaj mos harro se sa më tepër të rritesh aq më tepër rritet edhe pesha e gabimit. E solla shembullin e fundit për të thënë se menaxhimi i mirë i aseteve njerëzore në kohën e duhur mënjanon më pas shumë humbje apo rrjedhje në jetën dhe vdekjen e njerëzve. Ashtu që të kemi një shoqëri që di ta vlerësojë jetën para vdekjes ndërsa vdekjen si përkujtuesë e rëndësishme në perpilimin e duhur të pedagogjisë shoqërore.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re