VALENTINA MADANI/ Sandër Lleshaj, ish-ministër i Brendshëm, e sheh si mjaft shqetësuese situatën e krijuar në veri të Kosovës. Ai thotë për gazetën “Panorama” se Aleksandër Vuçiç prej kohësh po përparon drejt një konfrontimi të rrezikshëm ushtarak në Kosovë.

Në një situatë të tillë, ai shprehet se SHBA-të duhet të marrin situatën në dorë dhe jo të delegohet zgjidhja te BE-ja. Tiranës zyrtare, Lleshaj i kujton se duhet të ndjekë Kosovën duke e mbështetur atë në realizimin e objektivave të saj politike. Shqipëria, thotë ai, nuk mund t’i tregojë Kosovës as se ÇFARË duhet të synojë dhe as se SI ajo duhet t’i arrijë objektivat e veta, por vetëm ta mbështesë pa kushte në përpjekjen e saj për mbijetesë, shtetformim dhe integrim perëndimor.

Sa i përket situatës së rendit në vend, ish-ministri thotë se nuk sheh ndonjë anomali të re në tendencat e zhvillimit të treguesve të kriminalitetit. Ai pranon se së fundmi ka pasur disa ngjarje të rënda kriminale, por edhe disa goditje të suksesshme ndaj krimit. Por, sipas tij, më shumë se të bëjë “operacione” të suksesshme, vendi ka nevojë të bëjë reforma të mëdha në këtë sektor. Reformat duhet të synojnë krijimin e kapaciteteve të munguara ligjore, administrative dhe operacionale për luftën kundër parasë dhe pasurisë kriminale. Sandër Lleshaj është i bindur se lufta kundër krimit të organizuar është lufta kundër pasurive dhe parave të tij.

Z.Lleshaj, çfarë tregoi sulmi terrorist në Veri të Kosovës? Pse kjo shkelje e sundimit të ligjit në Kosovë?

Sulmi në Kosovë nuk ishte një akt i thjeshtë terrori, por shumë më keq. Sulmet terroriste synojnë krijimin e panikut dhe tërheqjen e vëmendjes mediatike dhe publike dhe, si rregull, drejtohen kundër civilëve. Sulmi serb ishte diçka tjetër, një sulm ushtarak me një formacion paramilitar, që me sa duket synonte të krijonte kushte për një ndërhyrje ushtarake nga trupat e rregullta ushtarake serbe.

Si mbërritëm deri në këtë pikë, ku Serbia guxon të sfidojë kaq hapur të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, duke sjellë ushtrinë në kufirin e Kosovës?

Këtu na ka sjellë mosfunksionimi i një sërë hallkave si brenda Kosovës ashtu dhe në rrafshin ndërkombëtar. Pasi dështuan të lexojnë seriozisht Kushtetutën e Serbisë, kur në të, në mënyrë kriminale, Kosova u sanksionua si pjesë integrale e Serbisë që në vitin 2006, pasi bënë sikur nuk i panë stoqet e reja kërcënuese të armatimit dhe municionit serb, rus e kinez në Serbi, pasi toleruan në mënyrë të papërgjegjshme krijimin e xhunglës kriminale në veri të Kosovës, pasi hoqën barrierat e vendosura ndaj afrimit të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, që ishin sanksionuar në Marrëveshjen e Kumanovës, pasi i hapën rrugë pa meritë proceseve të integrimit europian të Serbisë, por jo udhëtimit pa viza të qytetarëve të Kosovës për në BE, pasi e gëlltitën pa koment refuzimin serb për të sanksionuar agresionin rus kundër Ukrainës dhe pas shumë dështimeve të tjera, shfaqja më e fundit e artilerisë dhe tankeve serbe në kufirin me Kosovën duket se nuk mund të mos shihen.

I gjithë kursi i politikës serbe që nga vitit 1999 ka synuar pikërisht këtë: dislokimin ushtarak në kufi me Kosovën për të vijuar më tej drejt aneksimit të saj. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të lexojë Kushtetutën e këtij vendi, e cila në fakt i urdhëron qeveritë e saj për këtë.

Si e shikoni qëndrimin e SHBA-ve dhe BE-së në raport me situatën e krijuar në Kosovë?

Aq sa ka qenë i qartë qëndrimi serb në raport me Kosovën, po aq i paqartë është bërë qëndrimi i Perëndimit me kalimin e viteve. Ashtu sikundër njëfarë “llastimi” qëllimmirë, edhe pakujdesia perëndimore e inkurajoi Putinin për të guxuar shumë në Ukrainë, një qasje e ngjashme perëndimore e “trimëroi” edhe besnikun e tij serb, Vuçiç, i cili prej kohësh po përparon drejt një konfrontimi të rrezikshëm ushtarak në Kosovë. Sigurisht që në agravimin progresiv të situatës në veri të Kosovës kanë përgjegjësi të dorës së parë vetë qeveritë e këtij vendi, të cilat nuk kanë mundur të krijojnë kapacitetet e mjaftueshme politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të ushtruar kontrollin efektiv mbi të gjithë territorin shtetëror.

Në nivelin ndërkombëtar, pas fitores së luftës, SHBA ia besoi epokën e paqes BE-së. Por BE nuk arriti asnjëherë të krijojë një pozicion të vetin në raport me Kosovën, përderisa pesë vende të tij as sot nuk e kanë njohur atë si shtet. Në raport me Kosovën, BE ndodhet në një pozitë dualizimi mes njohjes dhe mosnjohjes së saj, që praktikisht është i barabartë me zero. E gjithë energjia e shpenzuar për “normalizimin” e marrëdhënieve nën regjinë e BE-së ka shkuar dëm dhe faktikisht marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë jo vetëm që nuk janë përmirësuar, por ato kanë degraduar në një nivel të rrezikshëm.

…dhe çfarë duhet bërë në këto kushte?

E them me keqardhje se, përderisa BE nuk është në gjendje të unifikojë qëndrimet e anëtareve të tij lidhur me Kosovën, nuk mundet të japë ndonjë kontribut konkret në këto kushte. Në vend të BE-së, mendoj se më mirë mund të angazhohen vendet udhëheqëse të tij si Gjermania, Franca, Italia. Nga ana tjetër, i pazëvendësueshëm dhe primar mbetet roli i SHBA dhe i Britanisë së Madhe.

Shtetet e Bashkuara do të duhet të rikthehen në krye të këtij procesi, i cili, për shkak se vijon të mbetet aq kompleks dhe i vështirë, nuk mund të delegohet prej tyre te BE.

Po Kosova e Shqipëria?

Mendoj se Kosova nuk ka arritur për shumë vite vendosjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj. Tashmë asaj i duhet që këtë çështje ta zgjidhë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë dhe jo me Serbinë, duke kompensuar shpejt kohën e humbur.

Nga njëra anë, Kosova duhet të vendosë bashkë me partnerët perëndimorë standardet më të larta në kontinent për trajtimin e pakicave serbe, pa kërkuar ndonjë rol apo konsensus të Serbisë në këtë çështje dhe, nga ana tjetër, duhet të vendosë kontrollin e plotë të ligjit në çdo centimetër katror të territorit të saj sovran. Për të vendosur këtë kontroll, Kosova ka jo vetëm të drejtë, por në radhë të parë detyrë që buron nga kushtetuta e saj. E për ta realizuar këtë, asaj nuk i mjafton vetëm e drejta, por më së shumti i duhet fuqia, fuqia e gjithanshme politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, të cilën mund ta krijojë nëse do të dijë të bashkëpunojë mirë me partnerët e sajtë shumtë ndërkombëtarë. Pjesë e rëndësishme e fuqisë së Kosovës në këtë rast është edhe konsensusi i gjerë politik e publik i brendshëm si dhe koordinimi i ngushtë me miqtë e sajtë vërtetë.

Sa u përket marrëdhënieve me Serbinë, mendoj se përpara se ato të “normalizohen” siç trumbetojnë në mënyrë absurde shumë prej negociatorëve të deritanishëm, në të vërtetë duhet që më së pari ato të ekzistojnë. Në fakt, kurrfarë marrëdhënie nuk ka mes Kosovës e Serbisë, përderisa kjo e fundit zhbërjen e shtetit të Kosovës e ka qëllim dhe detyrim të Kushtetutës së saj famëkeqe. Me Serbinë, Kosova mund të ketë vetëm një agjendë: njohjen reciproke. Vetëm pas saj mund të marrin kuptim çështjet e tjera, ndërkohë që pa njohjen të gjitha të tjerat janë një absurd i mirëfilltë. Dhe njohja reciproke mund të jetë vetëm njohja “de jure”, ndërsa “njohja de facto” që duket si një koncept fatkeq i shpikur enkas, është receta e sigurt për të xhiruar bosh.

Por për të qenë realist, njohja e Serbisë ndaj Kosovës duket, të paktën për një periudhë afatgjatë, një mision i pamundur, përderisa kushtetuta serbe nuk e lejon një gjë të tillë. Në këto kushte, do të ishte më racionale që Kosova, në vend të përpjekjes së pamundur për njohje nga Serbia, të tentonte mundësitë reale për njohje nga vendet e BE-së. Nuk ka dyshim që Kosova ka interes për njohjen nga Serbia, por ajo nuk ka kurrfarë nevoje jetike që të obsesohet nga kjo.

Kosova mund të jetojë edhe pa njohjen e Serbisë, ashtu siç kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar edhe vende të tjera, përkundër ambicieve ekspansioniste të fqinjëve të tyre. Unë besoj se ky është skenari më realist, për të cilin Kosova dhe partnerët e saj duhet të punojnë. Ndërsa kur vjen fjala për Shqipërinë, unë mendoj se gjërat bëhen edhe më të thjeshta. Vendi ynë duhet të kuptojë qartë rolin e tij në raport me Kosovën.

Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të përpiqet për të formuluar politikat e Kosovës në raport me Serbinë. Kjo gjë është përgjegjësia ekskluzive e Kosovës. E vetmja gjë që Shqipëria mund dhe duhet të bëjë është që ta ndjekë Kosovën duke e mbështetur atë në realizimin e objektivave të saj politike. Shqipëria nuk mund t’i tregojë Kosovës as se ÇFARË duhet të synojë dhe as se SI ajo duhet t’i arrijë objektivat e veta, por vetëm ta mbështesë pakushte në përpjekjen e saj për mbijetesë, shtet formim dhe integrim perëndimor.

Të ndalemi te siguria në vend. Pas kaq vitesh të qeverisjes socialiste, Shqipëria është bërë më e pasigurt dhe më pak e jetueshme. Për cilat arsye?

Në të vërtetë, unë nuk jam dakord me këtë konkluzion. Shqipëria ka vijuar të përmirësojë parametrat e saj të sigurisë dhe vendi është i sigurt dhe më i jetueshëm. Indikatorët kryesorë të sigurisë së vendit flasin qartësisht për këtë, ndërkohë që turistët që shtohen çdo vit, janë një konfirmim tjetër.

Pse kohët e fundit po agravon krimi në vend?

Pse atentatet po tronditin vendin? Unë nuk shoh ndonjë anomali të re në tendencat e zhvillimit të treguesve të kriminalitetit. Sigurisht që këto ditë ka pasur disa ngjarje të rënda kriminale, por edhe disa goditje të suksesshme ndaj krimit. Por të dyja këto, si aktet kriminale, ashtu edhe goditjet kundër krimit, nuk krijojnë ndonjë gjendje të re të ndryshme nga tendencat e konsoliduara në këtë fushë.

A është bërë krimi më gjakftohtë dhe më i pasur…?

Më sipër thashë se vendi ynë ka parametra optimalë të sigurisë publike, por kjo nuk do të thotë se gjendja në luftën kundër krimit të organizuar mund të klasifikohet si optimale. Krimi i organizuar nuk synon domosdoshmërisht cenimin e sigurisë publike, por kryesisht pasurimin në rrugë kriminale.

Madje, edhe pse mund të tingëllojë disi paradoksale, krimi i organizuar, në njëfarë kuptimi, ka nevojë për një lloj rendi e sigurie publike, me qëllim që të mund të shijojë në paqe e qetësi produktet e veprimtarisë së tij. Me fjalë të tjera, krimi i organizuar mund të ekzistojë dhe të zhvillohet edhe në kushte optimale të sigurisë publike. Në fushën e luftës kundër krimit të organizuar shohim rregullisht operacione të agjencive ligjzbatuese.

Po më shumë se të bëjë “operacione” të suksesshme, vendi ka nevojë të bëjë reforma të mëdha në këtë sektor. Reformat duhet të synojnë krijimin e kapaciteteve të munguara ligjore, administrative dhe operacionale për luftën kundër parasë dhe pasurisë kriminale. Lufta kundër krimit të organizuar është lufta kundër pasurive dhe parave të tij. Për këtë nuk mjaftojnë aspak kapacitetet që kemi.

A ka nisur vërtet shkatërrimi i grupeve kriminale në Shqipëri?

Unë besoj se për shkatërrim të vërtetë, do të mund të flasim vetëm kur pasuritë e krijuara në rrugë kriminale të kalojnë në dorë të publikut. Vetëm burgosja e disa kriminelëve është krejtësisht e pamjaftueshme për të shteruar burimin dhe motivin kryesor që ushqen krimin e organizuar, që është pasuria dhe paraja.

Pse krimi gjeti mbështetje te politika? A mund të ndodhë krimi pa mbështetje politike?

Flirti me politikën është pjesë e vetë natyrës së krimit të organizuar, pa të cilën ai nuk mund të mbijetojë. Kur them “flirt me politikën” duhet që me këtë të nënkuptojmë raportet me individë të caktuar që kanë peshë politike. Një ndër pikëtakimet kryesore të krimit të organizuar me politikën janë zgjedhjet, përmes të cilave krimi synon të “investojë” në politikë. Por kjo është një temë aq e gjerë, për të cilën nuk ka vend për t’u shprehur këtu sot.

Si i vlerësoni operacionet e SPAK? Pse po arrestohen vetëm ish-ministra e ish-zyrtarë?

Në përgjithësi unë nuk jam ndonjë ithtar i thekur i “operacioneve”, pasi e di mirë se përmes tyre mund të zgjidhen vetëm probleme të caktuara të ditës. Siç u shpreha më lart, vendi ka nevojë edhe për operacione, por shumë më tepër ka nevojë për reforma dhe kapacitete.

Përshtypja ime është se ne kemi ndërtuar pritshmëri të ekzagjeruara për SPAK, të cilat kjo strukturë nuk mund t’i përmbushë. SPAK është vetëm një strukturë e luftës kundër krimit të organizuar në nivelin penal të saj, ndërkohë që për t’u fituar, lufta duhet të zhvillohet edhe në nivelin politik, legjislativ, ekonomik, social, mediatik, kulturor, etj.. Përderisa në këto frontet e tjera shihet pak lëvizje e organizuar, pritshmëritë se punët do t’i zgjidhë SPAK, më duken të tepruara. Ndërsa sa i përket SPAK, mendoj se krahas përkrahjes dhe inkurajimit që duhet t’i japim kësaj strukture të re, duhet po ashtu të jemi më kërkues ndaj saj.

Unë besoj se përpjekja e SPAK duhet të orientohet më shumë për të goditur thellë dhe vertikalisht raste substanciale të krimit të organizuar, sesa rendja horizontale ndaj një morie çështjesh, të cilat vetëm sa shterojnë disa burime gjithsesi të limituara të kësaj strukture, por pa arritur ndonjë sukses thelbësor. Nga ana tjetër, mendoj se AGJENDA do të ishte jetike për të ardhmen e suksesit të SPAK.

Kam vënë re se SPAK është shndërruar në një adresë të rëndësishme denoncimesh, kryesisht nga aktorët politikë e partiakë. Edhe pse e njoh rëndësinë e denoncimeve në luftën kundër krimit, mendoj se ato që vijnë nga frontet partiake, më shumë se sa denoncime kundër krimit, janë llogari politike, të cilat jo domosdoshmërisht i shërbejnë një orientimi të saktë të vetë SPAK.

Pra, po e riformuloj edhe një herë pyetjen bazë që unë shtroj: KUSH E BËN AGJENDËN E SPAK? Personalisht e konsideroj të domosdoshme që SPAK t’i kërkojë dhe t’i gjejë vetë çështjet kryesore të agjendës kundër krimit të organizuar, të vendosë vetë prioritetet, të fokusohet në çështje madhore dhe të shmangë kështu riskun e shpërqendrimit prej morisë së denoncimeve, sidomos atyre partiake, mes të cilave ka shumë çështje të vogla e të parëndësishme. Vetëm në këtë mënyrë SPAK do të mund të arrijë te goditjet cilësore, për të cilat ajo është krijuar, dhe të shmangë rendjen pas sasisë, të cilën ajo e ka të pamundur.

Gjithë ai investim për institucionet e reja të drejtësisë, a u shndërrua realisht në të bërit drejtësi për shqiptarët?

Institucionet e reja të drejtësisë janë vetëm instrumente në duar të qytetarëve për të bërë drejtësinë. Por instrumentet nuk e bëjnë vetë drejtësinë. Drejtësinë mund dhe duhet ta bëjnë vetë qytetarët kur ata të jenë të aftë, të vetëdijshëm dhe të vullnetshëm për t’i përdorur drejt të gjitha instrumentet e politikës (para së gjithash), të administratës, të shoqërisë dhe drejtësisë në funksion të një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë.

Atë që presim nga SPAK në fushën penale duhet ta kërkojmë nga partitë në fushën politike, nga institucionet në fushën e administrimit publik, nga shkolla, nga media, dhe nga gjithë hallkat dhe aktorët e tjerë. Do të ishte një iluzion fatal, nëse ne do të ushqenim besëtytninë, se një strukturë e izoluar shtetërore do të mund të na sillte drejtësinë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re