Menjëherë pas marrjes së detyrës në shtator 2005, pasi zgjedhjet u fituan edhe falë slloganit “‘Koha për ndryshim”, detyra e parë që Sali Berisha i besoi ministrit të sapo zgjedhur të Mbrojtjes Fatmir Mediu është të fillojë privatizimin e objektit të çmuar sportiv në favor të familjes së tij. Siç thuhet në këtë dokument, që nga 14 nëntori 2005, Fatmir Mediu i dërgoi një kërkesë zyrtare ministrit të ekonomisë Genc Ruli duke kërkuar transferimin e impiantit të klubit Partizani tek individë privatë.

I gjithë klubi Sportiv Partizani qëndron në një zonë, e cila, sipas pretendimeve të tyre, i përket 64 trashëgimtarëve të 5 familjeve e ish-pronarëve. Grupi më i madh i trashëgimtarëve është ai i familjes Begeja e cila ka 27 trashëgimtarë. Në numrin 22 në listës del emri që do të kushtëzojë gjithë çështjen: Jamarber Malltezi, burri i Argita Berishës dhe dhëndri i kryeministrit. Dhe, megjithëse pjesa e tij e pronësisë është vetëm 1/64-ta, në fund të operacionit falë manovrave të tij dhe shperblimit të kërkuar nga trashëgimtarët e tjerë në këmbim të mbështetjes ofruar nga Sali Berishës në të gjithë procedurën e privatizimit, Jamarber Malltezi do të fitojë 35% të të gjithë pronës.

Trashëgimtarët fitojnë kthimin e 26mijë metrave katorë tokë falë një sërë vendimesh të Agjencisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të marra pjesërisht në vitin 1996 dhe pjesërisht në vitin 2007, pra gjithmonë në periudhën në të cilën Sali Berisha ishte në pushtet dhe emëroi edhe kryetarin e Agjencisë, dhe për këtë arsye, kontrolloi plotësisht edhe vendimet e saj.

Në shumë ankesa publike të bëra vitet e fundit nga Partia Socialiste duke perfshire nje kallzim tek SPAK, pretendohet, ndër të tjera, se ato toka të kthyera ish-pronarëve ishin blerë tashmë nga shteti shqiptar në vitet ’40 dhe për këtë arsye ishin në pronësi publike, pasi ato ishin shitur nga të njëjtat familje qeverisë fashiste të Tiranës, e cila, pikërisht në zonën ku do të ndërtohej Klub Sportiv Partizani më vonë, donte të zmadhonte aeroportin e kryeqytetit. Pra, sipas akuzës, pasardhësit dhe pronarët e rinj i kanë shitur një herë tokat dhe rrjedhimisht kanë humbur të drejtën e rikthimit të saj.

Por cila është e vërteta? 3 dokumentet që hedhin dyshimet mbi origjinën e pronave

Aeroporti i parë i Tiranës u ndërtua nga fashistët në vitet Tridhjetë në zonën e kryeqytetit që për këtë arsye tani njihet sot si ish-fusha e aviacionit. Siç mund ta shihni në këtë hartë origjinale, aeroporti ishte i vendosur në atë kohë jashtë qytetit, afër Rrugës aktuale të Kavajës, e cila në atë kohë quhej Bulevardi Musolini. Kjo është e njëjta zonë e qytetit ku regjimi komunist më vonë ndërtoi Klubin Sportiv Partizani (duke transferuar aeroportin në Rinas) dhe ku familja Berisha në kohët e fundit ndërtoi ato 17 kulla.

Report Tv hetoi në arkivat e shtetit, duke zbuluar të paktën tre dokumenta të shpronësimit të tokës së firmosur nga qeveria fashiste shqiptare, në të cilat figurojnë pikërisht emrat e familjes së Mahmut dhe Xhemal Begeja, domethënë paraardhësit e Jamarber Malltezit nga i cili ai trashëgoi tokën . Bëhet fjalë për dokumentat ekskluzive të pabotuara më parë. Siç e lexoni në këtë dokument të parë, është një “Plan i Detajuar i Shpronësimit”: emri i familjes së Mahmut dhe Xhemal Begeja shfaqet në numrin 9, dhe për ata qeveria shqiptare e asaj kohe synonte të shpronësonte 3,847 metra katrorë për punimet e zgjatjes së aeroportit. Harta tregon parcelën me tokën Begeja.

Dokumenti i dytë është dekreti numër 90 i 29 prillit 1942, me të cilin Francesco Jacomoni, përfaqësuesi më i lartë i mbretit italian, Vittorio Emanuele III, i cili sundoi mbi Shqipërinë e pushtuar nga fashistët, urdhëron që të konfiskohet fillimisht për gjashtë muaj një seri pronash gjithmonë e destinuar për zgjerimin e aeroportit të Tiranës. Midis 22 pronarëve të përfshirë në procedurë, siç thuhet në këtë listë të botuar në gazetën zyrtare dhe mbretërore të 15 majit 1942, emrat e Mahmud dhe Xhemal Begeja shfaqen në numrin 7. Në këtë rast, siperfaqja e konfiskuar nuk tregohet.

Por është dokumenti i tretë i zbuluar nga Report TV që krijon dyshimet më të mëdha.

Ky është një tjetër “Plan i Detajuar i Shpronësimit” i Ministrisë dhe Punëve Botërore italiane në Shqipëri, në të cilin shfaqet me numrin 5 përsëri emri i pronarëve Mahmud dhe Xhemal Begeja, të cilëve qeveria shqiptare e asaj kohe, synonte t’u shpronësonte 28.200 metra katrorë, gjithmone për të ndërtuar zgjerimin e aeroportit. Harta e bashkangjitur në listë tregon edhe parcelën që i përket familjes Begeja. Siç mund ta shihni qartë, parcela 5 e tokës Begeja, që qeveria fashiste synonte të shpronësonte ka një formë trekëndore që kufizohet në jug me rrugën Kroj dhe Shëngjin.

Por siç rezulton në këtë gentpaln, bashkangjitur vendimit të 25 Prillit 1996 me të cilin iu kthyen familjes Begeja 28,000 metra katrorë pronë, parcela ka cuditerisht të njëjtën formë trekëndëshe, të njëjtën madhësi dhe të njëjtin kufi me Kroj e Shengjini me atë parcelë 28.200 metra katrorë që qeveria fashiste synonte të shpronësonte. Nga një shikim i parë duket e njëjta tokë në të cilën, siç dëshmohet nga vendimi i Agjencisë së kthimit e kompensimit të pronave i datës 25 Prill 1996, u ndërtua më vonë nga qeveria komuniste klubi i Partizanit, dhe të cilin Jamarber Malltezi dhe trashëgimtarët e tjerë e rimorën nga shteti pa paguar asnjë lek.

Ndryshe nga ajo që u bë më vonë nga regjimi komunist, i cili kapi pronat pa asnjë kompensim për pronarët, qeveria fashiste në fakt, siç e tregon ky dokument i vitit ’40, si në rastin e shpronësimit të përhershëm ashtu edhe në konfiskimin e përkohshëm, kompensoi pronarët duke paguar qira ose duke paguar vlerën e pronave që hynin kështu për të qenë pjesë e pasurive të shtetit.

Por ato parcela, a ishin shpronësuar dhe paguar nga shteti familjes Begeja, ashtu siç kishin planifikuar të bënin sipas dokumentave? Apo plani i shpronësimit mbeti vetëm në letër?

Për fat të keq nuk ka dokumente të tjera në Arkivin e Shtetit mbi këtë procedurë, ndryshe nga shpronesimet e tjera ku rezulotjnë edhe shifrat e paguara nga qeveria, dhe për këtë arsye është e pamundur të kuptohet se çfarë ndodhi në të vërtetë me ato 32.000 metra katrorë tokë që qeveria shqiptaro-fashiste kishte për qëllim të shpronësonte përkundër pagesës.

Arkivi Qendror i Shtetit ku ruhet edhe gjithë dokumentacioni mbi pronat të kohës së fashizmit u drejtua gjatë viteve të para të pushtetit  të Sali Berishës dhe deri në vitin 1997, nga Luan Malltezi, babai i Jamarbër Malltezit. Natyrisht është  i dyshimtë fakti që në Arkivin drejtuar nga Luan Malltezi, nuk gjenden dokumentet mbi pronat që pas 54 viteve do të bënin miliarder djalin e tij.

Dyshimet e 4261 metër katror të pronave shtetëror në duart e trashëgimtarëve Malltezi

Por dyshimet mbi blerjen e mundshme të tokës nga qeveria fashiste shqiptare, në të cilin rast Jamarber Malltezi nuk do të kishte të drejtë për asnjë kthim, nuk janë të vetmet që rëndojne mbi këtë histori. Ekziston edhe një dyshim tjetër në lidhje me siperfaqet që janë kthyer. Siç mund të shihet nga ky Akt i vlerësimit, një dokument zyrtar që shoqëroi procedurën e privatizimit, Klubi Sportiv Partizani përbëhet nga 26,524 metra katrorë, nga të cilat 775 janë zënë nga ndërtesat. Por ekspertët e ministrisë tregojnë se ““Bazuar në shkresën e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, nr. 5574/1 Prot, datë 17.06.2008, brenda sipërfaqes prej 26 524 m2, kanë regjistruar në pronësi mbi truall familjet Alimehmeti, Begeja, Vaqarri, që mbulojnë me këto pronësi sipërfaqen totale prej 22.263 m2, dhe mbi sipërfaqen prej 4261 m2 është pronar shteti””.

Pra, sipas ekspertëve që hartojnë Raportin e Vlerësimit dhe sipas hipotekës, nga 26,524 metra katrorë që përbëjnë të gjithë sipërfaqen e Klub Sportiv Partizan, vetëm 22,263 metra katrorë janë në pronësi të trashëgimitarëve, ndërsa 4261 metra katrorë të tjerë. deri në kohën e privatizimit, rezultojnë në pronësi të shtetit. Një sipërfaqe që sipas ekspertëve kap në atë kohë një vlerë prej 114 milionë lekë (të reja) .

Por siç lexojmë në këtë dokument, në datën 16 gusht 2009, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, sektori i shitjes, pranë Ministrisë së Financave, në përfundimin e procedurave të privatizimit ia dorëzon trashëgimtarëve të ish-pronarëve përfshirë Jamarber Malltezin, të gjithë sipërfaqen prej 26,524 metra katrorë, duke përfshirë edhe 4,261 metra që sipas ekspertëve ende i përkasin shtetit. Dhe për ato toka nuk kanë paguar asnjë qindarkë. Në fakt, pasi konsiderohen si ish-pronarë, trashëgimtarët kanë të drejtë të marrin tokën e tyre falas dhe të paguajnë vetëm vlerën e ndërtesave që Shteti kishte ndërtuar mbi to. Po vlen kjo llogjikë edhe për ato 4261 metra katore që rezultojnë ende të Shtetit? Apo kjo sipërfaqe u përfshi pastaj në pronat ende u pa kthyer, por e njohur nga vendimet e Agjencia KKP?

Në pikën 6.4 të kontratës së privatizimit që Report TV ka lexuar, zbulohet një klauzolë e çuditshme, e cila i referohet pikërisht një pjese të tokës që i përket Shtetit. ”Blerësi është i detyruar të bëjë pagesën e pjesës së truallit që do të mbetet shtet pas konfirmit të dhënë nga ZRKK e pronave Tiranë, brenda afatit 30 ditor nga data e njoftimit që do t’u bëhet për këtë qëllim”’. A është paguar një shumë për ato parcela të tokës që nuk rezultojnë nga kontrata? Apo është një klauzolë parashutë e futur në kontratë në një mënyrë për të hutuar qëllimisht për të fshehur fatin e atyre 4,261 metra katrorë?

Skandali është se nëse ato 4261 metra me vlerë mbi 1 milion euro nuk do t’i përkisnin trashëgimtarëve të ish-pronarëve, sepse i përkisnin shtetit, ato nuk mund të përfshiheshin në këtë procedurë privatizimi, pasi siç kërkohej nga ligji duhej të ishin shitur përmes një ankandi publik, i cili përkundrazi nuk u zhvillua.(Shqiptarja.com)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re