Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi të martën në tërësi ankimin e ish-gjyqtarit Alaudin Malaj duke i dhënë fund epopesë të njeriut të njohur si një nga gjyqtarët më të pasur në vend, sipas deklarimit të tij të pasurisë.

Malaj doli nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit të kaluar kur dorëzoi një letër dorëheqjeje nga posti. Për shkak të dorëheqjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli në shtator pranimin e dorëheqjes dhe ndalimin e Malajt nga emërimi në sistemin e drejtësisë për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare.

Malaj u shpreh i pakënaqur ndaj këtij vendimi dhe u ankua në KPA, ku ngriti mes të tjerash pretendime për konflikt interesi të dy anëtareve të trupës gjykuese të KPK-së që vendosi pranimin e dorëheqjes ndërsa pretendoi se është nën përndjekje nga segmente të politikës dhe të policisë së shtetit.

Të gjitha pretendimet e tij u rrëzuan nga KPA.

Të martën, kur pritej mbajtja e fjalimit përfundimtar të mbrojtjes, Malaj nuk u paraqit pasi i dërgoi një email trupës gjykuese duke njoftuar se ishte sëmurë. Sipas trupës gjykuese, njoftimi i të qenit sëmurë nuk shoqërohej nga dokumentacion mjekësor për të vërtetuar sëmundjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re