Policia e Lushnjes ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët ishin kthyer në makthin e shoferëve të kamionçinave, pasi akuzohen për disa vjedhje të mjeteve të këtij lloji, ndërsa së fundmi ata kanë vjedhur mjetin e një qytetari nga fshati Eskaj në Lushnje.
Ky i fundit sapo kishte konstatuar që mjeti nuk ishte i parkuar aty ku e kishte lënë, lajmëroi policinë dhe kjo e fundit falë ndërhyrjes në kohë rekord, bëri të mundur neutralizimin e autorëve, duke gjetur mjetin e vjedhur dhe duke vënë në pranga dy të rinjtë.
Ata janë Andi Oruçaj dhe Mariglen Kondi të dy nga Tepelena, njëri prej të cilëve kishte thyer edhe masën e ‘arrestit në shtëpi’. Ndaj tyre kanë nisur hetimet ndërsa akuzohen për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë i Policisë së Lushnjes:
Lushnjë
I vodhën automjetin një shtetasi, falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar, njëri prej të cilëve ishte me “Arrest në shtëpi”.
Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e vjedhjes.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia zbardhi dhe 3 raste të tjera të vjedhjes të automjeteve të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Në orët e para të mëngjesit, pas njoftimit të marrë nga shtetasi N. K., se në fshatin Eskaj, Lushnjë, i kishin vjedhur automjetin tip kamionçinë “Ford Tranzit” që e kishte lënë të parkuar, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e automjetit.
Falë punës së mirorganizuar, shërbimet e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë bërë të mundur që brenda një kohë të shkurtër të identifikojnë dhe të arrestojnë në flagrancë dy autorët e dyshuar, si dhe të bllokojnë automjetin e vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e kësaj vjedhjeje.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Andi Orucaj, 19 vjeç, banues në Tepelenë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Mariglen Kondi, 25 vjeç, banues në Tepelenë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpie” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shtetasit e lartpërmendur janë dhe autorë të dyshuar edhe të vjedhjes të 3 kamionçinave, konkretisht në datën 24.02.2021 në fshatin Hysgjokaj, në datën 26.03.2021 në fshatin Gjuzaj dhe në datë 08.05.2021, në fshatin Konjat.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Fierit, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
…
/faxweb
