Në burgun e Fushë Krujës ka pasur një linjë drejt lirisë në mënyrë të paligjshme e cila tashmë me ndërhyrjen e SPAK është prishur.  Ky ishte komenti i kreut të burgjeve Agim Ismaili në një intervistë për Report Tv i pyetur për arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha.

Ndalur tek situata e pandemike COVID-19 në burgje, Ismaili tha se aktualisht janë vetëm 6 të infektuar dhe prej mars 2020 në burgje është shënuar vetëm një viktimë.

“Sistemi i Burgjeve ka një staf të zgjeruar që janë popullata e zakonshme dhe janë të ekspozuar për t’u infektuar e për pasojë transmetimi i këtij virusi është shumë i lartë, është arritur që të mbahet në gjendje stabël, kemi vetëm 6 të burgosur të prekur, ndërsa për periudhën 7 mujore të fundit janë 134 të burgosur në total, ato me sëmundje bashkëshoqëruese janë trajtuar në spitalin e Burgjeve. Në muajin gusht ka pasur një humbje jete, një të burgoru në moshë të thyer me shumë sëmundje bashkëshoqëruese, ndërsa situata tjetër ka shkuar në normalitet. Për 5 të burgosur që është agravuar situata janë përcjellë në spitalet COVID dhe janë negativizuar dhe po kryejnë dënimin në burgun ku është dënuar”, tha Ismaili.

Ndalur tek regjimi i posaçëm ‘41-bis’, Ismaili tha se ka dhënë rezultat dhe 7 të dënuar e paraburgosur vazhdojnë mbahen në këtë regjim.

Sa i përket procesit të zgjedhjeve në burgje, Ismaili sqaroi se po bëhen të gjitha përgatitjet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në sistemin tonë të burgjeve deri më 31 Janar 2021 ndodhen 2332 të paraburgosur dhe 2276 të dënuar në të gjithë vendin.

“Atyre që janë në qeli dhe u takon të votojnë do e ushtrojnë këtë të drejtë, kategorive që nuk iu lejohet “jo”. Po punojmë intesivisht me KQZ për procesin e votimit”, tha Ismaili për Report Tv.

Drejtori i Drejtorisë së Burgjeve Agim Ismaili në një intervistë për Report TV, tha se asnjë institucion burgu nuk është vatër e COVID dhe nuk ka qenë asnjëherë.

‘Vatër COVID është asnjë burg, është shfaqur për herë të parë tek 313 për shkak të stilit të jetesës dhe ambienteve të ngushta, dhe rreziku i transmetimit është shumë i lartë. Vatër nuk ka askund. Respektohen masat anti-COVID. Nëse dikush është i infektuar menjëherë veçohet dhe kryhen të gjitha procedurat e duhura në bashkëpunim me strukturat epidemiologjike.’- tha Ismaili.

I pyetur nga gazetari Arsen Rusta në lidhje me numrin e lartë të ambulancave të burgut tek Infektivi, Ismaili tha se ato janë sajime nga mediat dhe se nuk ka asnjë shifër të saktë.

‘Ato që sajohen në mediat, u panë ka ambulanca, këtu e kaq aty, janë deduksione dhe i mendoni vetë rezultate nuk janë siç i dyshoni ju.’- tha Ismaili.

Rusta: Sa teste kryhen në sistemi e burgjeve?

‘Nuk ka një plan për realizim testesh, kryhen sipas nevojave dhe të dyshuarve që kanë simtoma. Nuk kemi plan të bëjmë kaq teste apo aq teste, por për tu përgjigjur nevojave.’- tha Ismaili.

I pyetur në lidhje me lirimet me kusht që u bënë gjatë kohës së pandemisë, nëse ka pasur nga ato që nuk e kanë respektuar lejen, Ismaili tha se vetëm 10-12 prej tyre e kanë shkelur dhe më pas janë marrë masat ligjore për to.

‘Padyshim që u kthyen të gjithë, ato që shkelën kushtet e lejes u anulohej leja dhe ktheheshin në burg. Rreth 10 apo 12 prej tyre shkelën lejen e pandemisë dhe u morën masat ligjore. Ky është tregues shumë i qartë që procedurat e dhënies së lejes, kanë qenë shumë strikte.’- tha Ismaili.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re