Të parët që do të votojnë elektronikisht dhe vullnetin i tyre politik do të numërohet po elektronikisht janë qytetarët e njësisë dhjetë në Tiranë. 22 ditë para se mbi 24 mijë zgjedhës të shprehin vullnetin e tyre politik në mënyrë elektronike, në gjimnazin Qemal Stafa po kryhet testimi i parë i pajisjes që do ta mundësojë atë. E shohim së-bashku sesi hedhja e votës deri te numërimi kryhet i gjithi elektronikisht.

Pasi zgjedhësi identifikohet përmes kartës së identitetit dhe shenjës së gishtit, drejtohet në dhomën e fshehtë, që në këtë rast është e gjitha një pajisje elektronike.

Përpara se në ekran të shfaqen emrat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, që në këtë rast për arsye mos-keqkuptimi janë zëvendësuar me skuadra dhe emra futbollistësh, personi që shoqëron votuesin i kërkon komisionerit të fundit të aktivizojë pajisjen. Më pas në fshehtësi të plotë, votuesi bën zgjedhjen e tij. Për të qenë i sigurtë se vullnetin e tij politik e ka shprehur siç ai dëshiron, në këtë ekran i ri-shfaqet vota e tij dhe më pas e konfirmon atë.

Në rastin kur votuesi është shprehur pa-dashje gabim, pajisja të ofron mundësinë që të korrigjosh gabimin, përpara se ta konfirmosh përfundimisht.

Vota regjistrohet jo vetëm në mënyre elektronike por edhe fizike. Pajisja e printon atë dhe e hedh në këtë kuti, që në mbyllje të qendrave të votimit administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse partitë politike kanë pretendime për parregullsi, ajo hapet dhe krahasohet me të dhënat e rregjistruara në pajisje.

Eksperimentet për pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik me votuesit e njësisë dhjetë do të zhvillohet deri më 11 Prill në gjimnazin Qemal Stafa. Të gjitha partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje janë të ftuara ta ndjekin procesin.

Pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik i dakordësuar nga partitë politike në kodin e ri elektoral, do të kryhet nga kompania ndërkombëtare “Smartmatic”, i kushtoi buxhetit të KQZ-së, 1 miliardë lekë.