Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me Forumin Ekonomik të Shkupit, teksa shprehet se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik. Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes. Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Mesazhi i Ramës për kryeministrin Kurti

Mesazhe nga Shkupi në drejtim të kryeministrit Kurti, ka dërguar homologu i tij shqiptar, Edi Rama. Ai tha se kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër.

“E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, tha Rama.

Qeveria e Republikës së Kosovës, u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re