Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli thotë se shkak i krizës në PD, është kryedemokrati Lulzim Basha.

 

Sipas Kadillit, të gjitha veprimet e Bashës pas humbjes janë bërë vetëm si pretekst për të justifikuar mbajtjen skandaloze të karriges dhe jo për parime.

 

Mes të tjerash ai shkruan se shumica e atyre që mbështetin Berishën sot, nuk e bëjnë nga dashuria për Berishën, por nga urrejtja për Bashën.

 

“Që të ikë Berisha duhet të ikë Basha.

Kriza në PD buron nga vendimi i Bashës për të mos lëshuar karrigen. Të gjitha veprimet e tij pas humbjes janë bërë vetëm si pretekst për të justifikuar mbajtjen skandaloze të karriges dhe jo për parime. Unë e parashikova këtë gjë kur kërkova ikjen e Bashës që të nesërmen e humbjes.

Sikur Basha të kishte ikur, Berisha nuk do ishte ngritur. Shumica e atyre që mbështetin Berishën sot, nuk e bëjnë nga dashuria për Berishën, por nga urrejtja për Bashën. Demokratët e dinë që Basha është problemi i tyre më i madh, ndaj kanë përqafuar Berishën si mënyra e vetme për të hequr Bashën.

Ata që duan të largojnë Berishën kanë vetëm një mënyrë: të largojnë Bashën. Po nuk iku Basha nuk ikën Berisha. Vetëm pasi të ikë Basha, të gjithë do kuptojnë se as Berisha nuk i sjell dot në fitore. Vetëm atëhere ata do kërkojnë dhe do gjejnë një zgjidhje të vërtetë për të ardhmen e PD-së.”-shkruan Kadilli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re