Zëdhënësi presidencial i Turqisë, Ibrahim Kalın, tha se SHBA do të humbasë “neutralitetin” e saj në NATO nëse Kongresi Amerikan miraton shitjen e avionëve luftarakë F-35 në Greqi dhe kundërshton blerjen e avionëve F-16 nga Turqia.

“Ne kemi dëgjuar se për programin F-16, Kongresi do të prezantojë një parakusht. Janë bërë thashetheme apo vlerësime të tilla. Jemi informuar se nuk ka asnjë kërkesë apo dëshirë të administratës. Ky është vlerësimi ynë”, tha Kalın para gazetarëve në Ankara.

Nëse Kongresi e bën programin F-16 të varur nga ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO nga ana e Turqisë, Kalin tha: “Nuk bëhet fjalë që ne të bëjmë një hap prapa në atë drejtim. Këto janë procese të veçanta”.

“Nëse disa senatorë, si Bob Menendez, e sjellin këtë si parakusht në Kongres, por njëkohësisht i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Greqisë për F-35, ata do të humbasin qartë pozicionin e tyre neutral brenda aleancës së NATO-s. Nëse e bëjnë këtë një parakusht, kjo nuk do të jetë kurrë e pranueshme për Turqinë, shtoi Kalın.

Turqia i bëri një kërkesë Washington-it në vitin 2021 për 40 avionë F-16 dhe komplete modernizimi. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi zyrtarisht Kongresin për shitjen e mundshme.

Ankaraja pohon se avionët do të forconin jo vetëm Turqinë, por NATO-n.

“Ne e shohim programin F-16 si një alternativë të vlefshme si për forcat tona ajrore, ashtu edhe për të forcuar forcën tonë ajrore brenda Aleancës së NATO-s, por administrata apo Kongresi amerikan, me fjalë të tjera, parashtron disa parakushte në këtë drejtim, si për shembull ‘Kjo nuk do të ndodhë nëse nuk e bëni këtë apo atë, e kështu me radhë’. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. Pra, nuk kemi disponim të ulemi këtu me duar të lidhura”, tha Kalın.

Duke përshëndetur industrinë e mbrojtjes së Turqisë, Kalın tha se Turqia do të zhvillojë mundësitë dhe aftësitë e saj për të garantuar sigurinë kombëtare dhe kufitare, si dhe për të luftuar terrorizmin.

I pyetur nëse programi F-16 ka përfunduar, Kalin tha: “Varet se çfarë kushti vendosin. Ne nuk duam që të përfundojë. Ne duam që ky program të vazhdojë. Ne e dimë se qëllimi dhe dëshira e administratës Biden është në këtë drejtim, por nëse nuk mund ta kapërcejnë pengesën e Kongresit ose nëse kjo çështje ngec në Kongres, atëherë ne do të shikojmë situatën dhe do të bëjmë një vlerësim të ri”, shtoi ai.

Synimi i Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

Duke folur rreth synimeve të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, Kalın tha se Turqia ka deklaruar qartë se procesi i anëtarësimit nuk do të përparojë nëse nuk eliminohen elementët terroristë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në maj të vitit të kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt 2022.

Por Turqia, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime, duke akuzuar të dy vendet se tolerojnë dhe madje mbështesin grupet terroriste, duke përfshirë organizatën terroriste PKK-në dhe organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes së mposhtur për grusht shteti të 15 korrikut 2016.

Qershorin e kaluar, Turqia dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në një samit të NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në aleancë.

Suedia dhe Finlanda ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për YPG/PYD-në dhe FETO-n, për të parandaluar të gjitha aktivitetet e grupeve terroriste, për të ekstraduar të dyshuar për terrorizëm, për të miratuar legjislacionin e ri për të ndëshkuar krimet terroriste dhe për të mos zbatuar embargo të armëve midis tre vendeve.

Në lidhje me miratimin nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan për anëtarësimin e Finlandës, Kalın tha se Suedia dhe Finlanda e filluan procesin së bashku dhe treguan një vullnet për të vazhduar së bashku, gjë që Turqia e respekton.

“A do të bëjë Finlanda një vlerësim tjetër tani e tutje? A do të fillojë një proces të ri ndaras? Kjo është diçka që u takon atyre. Ne po takohemi me ta, jemi në konsultim. Ndoshta në javët në vijim do të ketë qartësi për këtë çështje”, tha ai.

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha se Helsinki dëshiron të anëtarësohet në NATO-n bashkë me Suedinë.

Takimi Turqi-Rusi-Siri

Për mundësinë e përfshirjes së Iranit në bisedimet midis Turqisë, Rusisë dhe Sirisë, Kalın tha: “Do të ishim të kënaqur nëse Irani do të përfshihej në këtë proces”.

Duke theksuar se Irani është një aktor “i rëndësishëm” rajonal, ai shtoi: “Prania e Iranit kontribuon në negociatat me Sirinë, të cilat zhvillohen nën ndërmjetësimin e Rusisë”.

Më herët, presidenti Erdoğan tha se liderët e Turqisë, Rusisë dhe Sirisë mund të takohen gjithashtu për të diskutuar paqen dhe stabilitetin në Siri.

Edhe pse ende nuk është bërë e ditur asnjë datë apo lokacion, pritet të zhvillohet një takim i tre ministrave të Jashtëm, që do të shënonte një tjetër takim të nivelit të lartë që nga fillimi i luftës civile në Siri në 2011.

Më 28 dhjetor, ministrat e mbrojtjes të Turqisë, Rusisë dhe Sirisë, u takuan në Moskë për të diskutuar përpjekjet kundër terrorizmit në Siri dhe ranë dakord të vazhdojnë takimet trepalëshe për të garantuar stabilitetin në Siri dhe në rajon.

“Ministrat e Jashtëm po diskutojnë një datë. Mund të jetë brenda këtij muaji, por ende nuk ka një datë dhe vend të caktuar. Por mund të presim që ky takim të bëhet në javët në vijim”, tha Kalın.

Lufta Rusi-Ukrainë

Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Kalın përsëriti se Turqia kreu përpjekje intensive diplomatike për të bashkuar palët.

“Ne u bëjmë thirrje palëve që të marrin një rrugë që do ta zgjidhë këtë çështje përmes negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. Ne bëjmë rekomandime. Ne po bëjmë përpjekje në këtë drejtim”, shtoi ai.

Kalın tha se bota duhet të përqendrojë përpjekjet drejt fundit të luftës, por bazuar në një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, domethënë drejt një plani që do t’i japë fund luftës në bazë të integritetit territorial dhe sigurisë së Ukrainës.

Kalın paralajmëroi se po bëhen përpjekje për një shkëmbim të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Iniciativat tona në këtë drejtim vazhdojnë nën udhëheqjen e presidentit tonë dhe dëshirojmë të arrijmë disa rezultate konkrete në këtë drejtim”, tha ai.

Turqia, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka kërkuar vazhdimisht Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re