25 shqiptarë që kishin kërkuar azil apo kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen janë riatdhesuar ditën e sotme në Aeroportin e Rinasit.

Policia njofton se të riatdhesuarit shoqërohen me një eskortë të Policisë shqiptare, ndërsa apelon të gjithë shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit të respektojnë rregullat e lëvizjes.

“Sot u riatdhesuan në Rinas, 25 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil apo kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Ky operacion është zhvilluar në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së, me të cilët janë bashkërenduar veprimet. Çdo grup të riatdhesuarish shoqërohet me një eskortë të Policisë shqiptare.

Operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe përgjatë muajve shtator, tetor e nëntor.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet rigoroze në pikat e kalimit kufitar, për dokumentacionin dhe plotësimin e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe do të forcojë kontrollet në kufirin e gjelbër duke shtuar patrullimet”, njofton policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re