Dje në Shqipëri ka mbërritur lajmi qoftë për ndarjen nga jeta, ashtu dhe përcjelljen e shkrimtarit Kasem Trebeshina në banesën e fundit, në një heshtje totale, madje dhe nga miqtë e tij. Trebeshina i befasoi të gjithë me këtë Lamtumirë me shqiptarët. Ai ndodhej në Ankara ku jetonte te vajza e tij. Njoftimi për ndarjen nga jeta të Trebeshinës ka qenë pothuaj pa asnjë sinjal zyrtar të konfirmuar
Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!.. Ju mos e bëni të padurueshme, gjer në shkatërrim!…Dhe mos harroni!…Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!…Mendohuni mirë…Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…Lamtumirë!…Me këtë shënim, shkëputur nga “romani i jetës”, siç e quan librin “Dafinat e thara”, shkrimtari Kasem Trebeshina ka lajmëruar “ikjen” e tij pothuaj 10 vite më parë, si përgjigje të gjendjes së tij të çuditshme se “E ndiej që nuk jam më, në asnjë vend…”. Dje në Shqipëri ka mbërritur lajmi qoftë për ndarjen nga jeta, ashtu dhe përcjelljen e tij në moshën 91-vjeçare në banesën e fundit, në një heshtje totale, madje dhe nga miqtë e tij. Trebeshina i befasoi të gjithë me këtë Lamtumirë me shqiptarët. Ai ndodhej në Ankara ku jetonte te vajza e tij. Njoftimi për ndarjen nga jeta e Trebeshinës ka qenë pothuaj pa asnjë sinjal zyrtar të konfirmuar, kur pasdite vonë Biblioteka Kombëtare “ndërtoi” dhe ekspozitën me veprat e tij kontribuuese në letërsinë shqipe duke ndalur ndër të tjera në: “Me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997”. Qëndrimet prej disidenti dhe letra e tij “Promemorie” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, ku denoncohet vendosja e pushtetit absolut prej Luigji XIV në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist, i sjell persekutimet dhe burgimet e para. Qëndrimet e palëkundura i kushtojnë Trebeshinës tri burgime, gjithsej 17 vjet dhe internime në ishullin e Zvërnecit. Refuzimi për të votuar, në shenjë proteste ndaj mungesës së votës së lirë, i sjell një tjetër dënim nga regjimi komunist, prej të cilit vuajti deri në vitin ‘89.
Krijimtaria e botuar e Kasëm Trebeshinës zë fill në 1953 me botimin e dramës historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e arkivës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Krahas tyre janë edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami : melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira : shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë: komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit: triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasëm Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pasluftës.

Dafinat e thara, romani i jetës…
Nuk kam ndër mend t’ju kërkoj të falur…
Nga Kasem Trebeshina
Nuk kam ndërmend t’ju kërkoj të falur për pjesëmarrjen time në atë luftë të ndyrë civile dhe të gjithë ju duhet të kini parasysh se nuk jam duke shkruar as “Historinë e Luftës Civile në Shqipëri”, dhe as “Historinë e Luftës në Shqipëri”. Jam vetëm duke dhënë një përshkrim të shkurtër të jetës sime, të eksperiencës sime në një nga periudhat më të turbullta të Historisë së Shqipërisë. E di, unë kam përgjegjësitë e mia për ato që kanë ndodhur, por këto përgjegjësi lidhen drejtpërdrejt me moshën që kisha në atë kohë. Politika është një gjë shumë e vështirë dhe rinia nuk është e aftë që të angazhohet në të. Për ata që janë me të vërtetë të etur për të pasur një përshkrim të hollësishëm për ato që ndodhën në të vërtetë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, unë rekomandoj të lexojnë vetëm librat zyrtare komunistë që, nga koha në kohë, ndryshojnë. Aty ata do të zbulojnë gënjeshtrat dhe kontradiktat e një klouni të çmendur, e një djalli që ka vuajtur tërë jetën nga paranoja me psikopati.
Mirë!…Pasi Miladin Popoviçi e krijoi partinë e tij komuniste shqiptare unë mbeta një i ri komunist, gjë që nuk më bëri kurrfarë përshtypje, se nuk kisha humbur ndonjë gjë nga ai ndryshim. Në të vërtetë unë nuk i njihja udhëheqësit komunistë shqiptare, as Miladinin dhe as Titon. Unë njihja vetëm Stalinin si udhëheqësin tonë dhe dëshira ime e zjarrtë ishte të merrja armët kundër armiqve fashistë. Doja vetëm të luftoja.
Gjatë gjithë rezistencës asnjëherë nuk kam ëndërruar të bëhem oficer, por vetëm të isha një ushtar i thjeshtë i vendit tim dhe, kur të mbaronte lufta, të plotësoja arsimin tim dhe të vazhdoja punën time letrare. Isha i sigurt që komunizmi ishte demokracia më e përsosur në një sistem të shkëlqyer pluralist, ku edhe bujqit e mi do të ishin të lirë sa unë dhe të tjerët. Nuk kisha asnjë ide për diktaturën e proletariatit dhe në imagjinatën time bota e re do të ishte si shoqëritë e vendeve perëndimore.
Pavarësisht nga kjo, gjatë luftës kam qenë një komunist i mirë dhe ne të gjithë, armiq dhe miq, u gabuam nga kjo koincidencë e çuditshme. Natyra ime turke e tregoi veten në qetësinë time, në disiplinën time ushtarake dhe në ashpërsinë time në luftë. Kështu, udhëheqësit komunistë më morën për atë lloj njeriu që unë nuk isha. Por e gjithë kjo tashti është e varrosur dhe përgjithmonë dhe ndofta në varrin e vëllait tim!…Dhe unë nuk kam më rast që të zihem me të!…
Në Shqipëri u gjenda i poshtëruar dhe i fyer…
Në Shqipëri u gjenda i poshtëruar dhe i fyer. Autoritetet tona kishin përhapur tej e përtej fshatit –tonë-shtet fjalën se unë isha i sëmurë psikik. Kërkova një përgjigje për problemet e mia, por ata vazhdonin një heshtje nga më të çuditshmet.
Gjatë verës së 1950-ës ata bënë çdo gjë që mundën për të më dërguar përsëri në Institut dhe, kur autoritetet tona u bindën plotësisht se ishte e pamundur që të ndryshoja mendim, e ndërruan pllakën dhe vendosën të më bëjnë një burokrat në Komitetin e Arteve. Por unë e kisha vendosur ndryshe dhe nuk kishte fuqi në botë që mund të më detyronte t’iu dorëzohesha armiqve të mi. Shkova në Teatrin Popullor si aktor-probist dhe atje, brenda një kohë të shkurtër, i binda kolegët e mi se isha një dramaturg shumë i mirë. Komeditë e mia lexoheshin me entuziazëm nga aktorët më të rëndësishëm të Teatrit Popullor. Ata protestuan me forcë tek autoritetet komuniste, më mbrojtën nga sulmet e tyre dhe i detyruan që të më dërgojnë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjë shumë e rrallë për atë kohë. Por Enver Hoxha nuk ma harronte kurrë faktin që unë kisha qëndruar në opozitë me jugosllavët kur ai puthej dhe jargavitej me ta dhe autoritetet kishin dhënë fshehurazi urdhrin që Shtëpia e vetme Botuese në Shqipëri të mos më botonte. Në vendet komuniste botimi është nën kontrollin absolut të Partisë Komuniste dhe asnjeri nuk mund të botojë një libër pa lejen e një grupi të padeklaruar censorësh. Kështu ishte me të vërtetë për t’u çuditur që unë, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, nuk kisha të drejtë reale, që të botoja një roman, një dramë, ose një libër me lirika në Shqipëri!…
E ndiej që nuk jam më, në asnjë vend…
Jeta është e vështirë!…Vdekja arrihet më me lehtësi!…Por, ne erdhëm në jetë!…Erdhëm me mundim dhe dhembje…Ndaj dhe duhet, patjetër, ta jetojmë sa më gjatë!…Dhe sa më gjatë ne mund ta jetojmë duke u përpjekur që të gjitha veprimet tona të çojnë në ndërtime të arsyeshme dhe jo në shkatërrimin e Botës!
Që ne ta ndalim shkatërrimin e shpejtuar të Botës është e domosdoshme që të merremi vesh me njëri-tjetrin!…Marrëveshja është e vështirë, gjer në pamundësi…Dhe përsëri e përsëri, ajo duhet të arrihet!…Dhe me të gjithë!…Ndryshe, shkatërrimi do të jetë i paikshëm!…Unë, tashti, jam në muzgun e jetës sime…Dhe e ndiej që nuk jam më në asnjë vend !…Të gjitha sa kisha për të thënë, kanë mbetur këtu…Më tej, do të kaloj atje ku nuk arrijnë as shpifjet dhe as gënjeshtrat! Ndofta ka mbetur këtu jehona e heshtjes së madhe…Dhe “Përmbytja e madhe”!…Po! Ndofta “përmbytja e madhe” nuk është hedhur në skenë!…E kam menduar dhe po e mendoj dramën e shtatëdhjetetetë!…Kushedi?! Mund dhe e shkruaj!…Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!.. Ju mos e bëni të padurueshme, gjer në shkatërrim!…Dhe mos harroni!…Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!…Mendohuni mirë…Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…Lamtumirë!…
*Fragmente nga libri me esse e kujtime, “Dafinat e thara”, që mbajnë datën 2007, por botuar më 2016.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re