Skip to content

Katastrofa mjedisore/ Bashkia e Durrësit nuk i pastron, por i djeg mbetjet në kosha (VIDEO)

Durrësi është përfshirë prej ditësh në një katastrofë mjedisore. Banorët e kanë kthyer në kryefjalë të përditshmërisë ndotjen e madhe që po shkaktohet në lagjet e tyre të banimit, teksa thonë se ka edhe më keq, pasi Bashkia jo vetëm që nuk po i pastron plehrat në koshat e lagjeve, por po detyron punonjësit e pastrim-gjelbërimit t’u vënë zjarrin.

Rasti bëhet publik përmes kësaj videoje që shoqëron këtë shkrim dhe që bën fjalë për atë se çfarë ndodh në lagjen 17 në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Prej dy javësh në këtë zonë, mbetjet nuk janë marrë nga bashkia, por përkundrazi u vihet zjarri gjatë natës dhe shtëllunga të tëra tymi mbulojnë lagjen gjatë ditës.

Vetë banorët thonë se paguajnë të gjitha detyrimet e bashkisë, në të cilat përfshihet edhe taksa e pastrimit. Kjo tregon se Bashkia nuk i merr aspak seriozisht shqetësimet e banorëve dhe kryetarja e bashkisë, e komanduar në atë detyrë në 23 prill dhe jo e votuar Emirjana Sako nuk po menaxhon si duhet situatën.

Jo vetëm shëndeti i banorëve, por edhe turizmi janë në rrezik të madh lidhur me mbetjet urbane, që po derdhen rrugëve, apo digjen afër kazanëve ku i hedhin banorët.

Prej 4 ditësh, situata e tërheqjes së plehrave në Durrës është mjaft kritike, pasi në të gjitha lagjet mbeturinat urbane nuk tërhiqen. Shkak është bërë mbyllja e fushës së plehrave në Porto Romano ku ka nisur puna për ndërtimin e Eko Parkut dhe mos përcaktimi i një vendi të ri për grumbullimin e tyre.

Fillimisht bashkia e Durrësit përcaktoi landfillin e Sukthit si pikë grumbullimi, por kjo u prit me protesta dhe reagime të ashpra nga banorët.

Tani për tani, disa kamionë janë shkarkuar në Manzë, por bashkia është në bisedime me qeverinë për të mundësuar një fond të veçantë për dërgimin e plehrave në landfillin e Sharrës. Dërgimi atje është i pamundur me fondet që ka aktualisht në dispozicion bashkia e Durrësit, për këtë arsye kërkohet ndërhyrja e qeverisë, pavarësisht se është po kjo bashki që u vjel taksën qytetarëve durrsakë për pastrimin.

Mos përcaktimi i vendit të grumbullimit të mbeturinave dhe mos gjetja e zgjidhjes përsa i përket problemit financiar para se të nisnin punimet për Eko Parkun e kanë shndërruar Durrësin turistik në një qytet, ku plehrat po dekompozohen nëpër lagje./ shqip