Skip to content

“Katastrofë e diplomacisë evropiane”, vizita e Borell në Moskë shkakton polemika në BE. Eurodeputetët kërkojnë shkarkimin e tij

Vizita e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell në Rusi ka shkaktuar shumë polemika.

Polemikat nisën pasi Borell u tregua shumë i ‘butë’ në takimin me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov me të cilin do të diskutonte çështjen e dënimit të kundërshtarit të Putinit, Alexey Navalny. Përpara se të shkonte në Rusi, Borell u zotua se do t’i tregonte ‘dhëmbët’ rusëve për arrestimin e padrejtë të Navalny, por ndodhi krejt e kundërta.

Ai akuzohet se nuk ka reaguar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Lavrov ndaj sulmeve të nisura nga ministri rus ndaj BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas këtij takimi eurodeputeti estonez Riho Terras, nga grupi EPP i është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në të cilën kërkon dorëheqjen e Borrellit.

Në letrën, në të cilën Terras shprehet në shumës, duke sugjeruar se ka nënshkrues të tjerë, eurodeputeti thotë se është “jashtëzakonisht i shqetësuar nga zhvillimet poshtëruese” të vizitës së Borrell në Moskë, e cila “dëmtoi rëndë reputacionin e Bashkimit Evropian”.

Në letër pretendohet se vizita ishte ndërmarrë nga Borrell “me iniciativën e tij” dhe në të cilën ai tregoi “indiferencë ndaj krimeve të kryera nga regjimi Putin kundër kundërshtarëve politikë”.

Duke theksuar “mungesën e gjykimit” të Borrell dhe “paaftësinë e tij për të mbrojtur interesat dhe vlerat” e BE, Terras dhe nënshkruesit e tjerë të mundshëm i kërkojnë Von der Leyen të “veprojë” nëse Borrell “nuk jep dorëheqjen me vullnetin e tij”.

“Një katastrofë e diplomacisë evropiane”, një “tallje” nga Rusia, e cila tregon se Moska “nuk e merr seriozisht Brukselin si një lojtar botëror”.

Nona Mikhelidze, eksperte e Institutit të Punëve Ndërkombëtare thotë se Borrell dëshironte të shkonte në Moskë në bazë të strategjisë së “angazhimit selektiv”, të nisur në kohën e Federica Mogherinit, sipas së cilës, pavarësisht nga distancat, “ka domosdoshmërish zona në të cilat mund të bashkëpunojmë”.

(R.G/Faxweb)

/faxweb