Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi pas mbërritjes së pandemisë së Covid-19, ndërsa ka dhënë edhe një sërë këshillash të vlefshme se si duhet të veprohet në këtë rast. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-ministri Malaj u shpreh se për shkak të pandemisë janë një sërë sektorësh që do të preken, teksa theksoi se papunësia do të jetë plaga më e madhe sociale.

Duke komentuar paketat financiare të akorduara nga qeveria për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve dhe individëve, ish-anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ka sqaruar me detaje ku çalon plani mbështetës dhe se si duhet të veprojë ekzekutivi.

-Zoti Malaj, për afro 3 muaj vendi ynë ndodhet në masa të rrepta për shkak të Covid-19, por institucione prestigjioze si FMN, BB por dhe BSH kanë paralajmëruar se do të kemi një rënie ekonomike. Sipas jush, cilat do të jenë pasojat e mbylljes së bizneseve?

Pasojat janë në disa aspekte. Aspekti human- ka parasysh shkallën e të prekurve dhe jetët e humbura. Aspekti social- rritja e numrit të papunësisë dhe rritja e varfërisë. Aspekti ekonomik- rënia nga -5 % deri në -9 % të prodhimit të brendshëm bruto. Aspekti buxhetor- rritje e konsiderueshme e deficitit dhe borxhit publik. Aspekti politik- risku që në emër të sigurisë për jetën të reduktohen liritë për të jetuar i lirë, në liritë njerëzore, ekonomike e politike.

Aspekti kryesor indirekt- janë kostot e rënda që mund të përballemi nga pasojat psikologjike dhe në shëndetin mendor që ka prodhuar mbyllja e plotë e vendit për periudhën 10 mars 2020 deri në 31 maj 2020. Kjo kosto nuk është e lehtë të matet, por vende të ndryshme që e kanë përllogaritur flasin për kosto të konsiderueshme nga rënia e produktivitetit.

-Cilët janë sektorët që do e ndiejnë më shumë krizën ekonomike?

Duke qenë një krizë e importuar apo një goditje e jashtme në shkallë të gjerë dhe të gjatë të përhapjes, bizneset që do të preken më rendë janë në fushën e shërbimeve, duke filluar me turizmin, biznesin individual dhe familjare. Sektori i dytë në kushtet kur u mbyllen për rreth 80 ditë restorantet dhe hotelet, është bujqësia në të tërë zinxhirin e saj nga prodhimet e freskëta deri grumbullimi, agropërpunimi dhe agroturizmi.

Turizmi jep rreth 8% të PBB-së, punëson rreth 12% të fuqisë punëtore dhe për më tepër çdo investim apo çdo mos funksionim ndikon pozitivisht ose negativisht me 3 fish të kontributeve të tij, pra preket rreth 25% e ekonomisë dhe rreth 36% në punësim. Bujqësia jep rreth 21 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe ku jetojnë rreth 40% të popullsisë së vendit. Një faktor tjetër janë investimet e huaja direkte, pasi investitorët kanë shumë paqartësi dhe pasaktësi për të ardhmen.

-Por sa i takon situatës së papunësisë, mendoni se gjatë vitit aktual do të kemi rritje të ndjeshme të papunësisë, pasi BSH parashikon që rreth 100 mijë persona do humbin vendet e punës?

Papunësia do të jetë plaga më e madhe sociale. Ndihma e parë është kohezioni social, përfshirja e tyre në skemat e pagave të papunësisë dhe varfërisë. Por kjo krizë globale do të imponojë ndryshime të mëdha strukturore në çdo vend. Diskutohet për rialokimin e mallrave dhe shërbimeve nga Kina dhe vendet e tjera që aplikuan bllokim të eksporteve në Europë, Afrikë dhe në Ballkanin Perendimor. Punësimi kërkon reforma të thella për mirëqeverisje. Në afatshkurtër ulja e papunësisë do të kërkojë trajnime dhe ritrajnime për t’u përshtatur me kërkesat e reja të tregut.

Në afatgjatë kërkohet ristrukturimi i ekonomisë tonë në sektorë sa më produktivë dhe sa më pak të prekur nga goditjet e jashtme, aq më shumë kur novelistë në fushën e mjekësisë këshillojnë që ne të mësohemi të bashkëjetojmë me pandemitë, të parandalojmë goditjet e rënda dhe të harmonizojmë më mirë detyrimin e pare që është siguria e jetës me lirinë e jetës. Besoj se nga kjo krizë qeveritë, biznesi, por edhe qytetarët kanë mësuar se çdo krizë është e përballueshme kur zbatohen protokollet mjekësore për çdo individ dhe biznes.

-Thënë troç, a duhet të përgatitemi për një krizë të fortë ekonomike, pasi për muajin prill kishim 30 për qind të ardhura më pak në buxhet?

Nga çdo krizë individët dhe shtetet dalin më të varfra. Barra e borxheve po rritet ndjeshëm kudo. Në momentin e parë ato duken si varka shpëtimi, por n.q.s barra e deficiteve dhe borxheve individuale, të biznesit dhe borxhi publik rriten ndjeshëm, kjo mund të çojë në situatë kritike. Greqia gjatë krizës 2008 u prek rëndë, papunësia u rrit deri në 25%, papunësia e të rinjve deri 50%, qytetarët humbën rreth 1/3 e vlerës së të ardhurave të tyre dhe borxhi i saj publik nga një pikë fillimi 120% arriti mbi 170% dhe tani mund të shkojë deri në 200% të PBB-së.

I njëjti trend përkeqësues i barrës së borxhit publik është edhe Italia, partneri ynë kryesor sidomos në eksportet tona, ku 80% e fasonëve kanë si treg të tyre Italinë. Edhe vendi ynë do të ketë përkeqësim të stabilitetit të financave publike, shifrat mund të kalkulohen më saktë pas mbylljes së muajit maj 2010. Një përgjegjësi e madhe mbetet saktësia e treguesve të punësimit, varfërisë, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërisë së financave publike.

-Sipas jush ku çaloi plani i masave i qeverisë në mënyrë që dhe ekonomia të kishte frymëmarrje dhe si duhej vepruar?

Duhej një harmonizim më i mirë midis sigurisë për jetën dhe lirive njerëzore dhe ekonomike. Kolona e mbështetjes për sektorin e shëndetësisë rezultoi pozitive. Ndërsa kolona e mbështetjes për 60,000 të papunët e rinj dhe 179 000 individëve me mbështetje kundër varfërisë, kishte pa qartësi ligjore, mbivendosje institucionale dhe vonesa në përcjelljen e ndihmës tek përfituesit realë që në këtë rast janë të papunët dhe të varfrit, ku këto shuma financiare për shumicën e tyre janë burime mbijetese.

Kolona e tretë- mbështetja për biznesin sidomos pjesa e mbështetjes me kredi të mbështetur nga garancia sovrane- rezulton se duhet të ishte konceptuar më mirë nga pikëpamja ligjore dhe funksionale, duke bashkëpunuar në mënyrë efikase me asosacionet e biznesit, asosacionet e bankave, institucionet bankare e jo bankare dhe asosacioni i kompanive të sigurimeve. Komunikimi duhet të jetë i saktë, i qartë dhe transparent për çdo hap të hartimit dhe implementimit të këtyre paketave.

-A ishte gjetje dhënia e dy paketave financiare, njëra 26.000 lekë dhe tjetra 40 mijë lekë?

Madhësia e paketave ndihmëse për grupimet e ndryshme sociale janë të ndryshme midis vendeve të ndryshme. Në shumë vende ndihma e menjëhershme ka qenë një shumë e dhënë falas banorëve që të mos ndjehen të braktisur. Kohezioni social është jetik që njerëzit të mos ndjehen të braktisur, pasi nën frikën e lajmeve të frikshme të pandemive janë të prirur të jenë deri në panik. Por n.q.s individët dhe biznesi nuk shpenzon dhe investon, rënia ekonomike thellohet dhe detyrimi i qeverisë për paketa financiare në mbështetje të konsumit dhe krijimin e likuiditeteve merr rëndësi të veçantë. Politikanët që mendojnë se vetëm duke hedhur më shumë para në ekonomi dhe nga ana tjetër pengojnë apo kufizojnë lirinë për lëvizjen e lirë dhe sidomos lëvizjen për biznes (sipas edhe protokolleve të arsyeshme mjekësore) do të pengojnë rritjen ekonomike dhe do të bëjnë më të rëndë barrën e borxheve për t’u paguar.

-Qeveria po merr borxh për të përballuar situatën, ndërkohë që borxh u mor dhe për tërmetin. Si e shihni situatën në muajt në vijim, do kemi një bum të borxhit publik?

Përballë dy goditjeve të rënda, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia në fillim të marsit 2020, çdo vend do të kishte nevojë për burime shtesë si për rindërtimin në rastin e tërmetit edhe për asistencë financiare për të varfrit, të papunët dhe bizneset nga ato individuale deri tek kompanitë e mëdha. Të paqartë sa të mëdha do të ishin këto pasoja, FMN dhe BE lehtësuan procedurat për asistencë financiare për vendet e prekura nga pandemia, duke i dhënë prioritet mbështetjes financiare për kostot e kujdesit shëndetësor dhe asistencës për të varfrit. Ndihma e parë e BE ishte rreth 15 milionë për shëndetësinë dhe 35 milionë euro për mbrojtjen sociale të shtresave të prekura rëndë nga dy fatkeqësitë. Lidhur me programin e rindërtimit, BE organizoi një konferencë donatorësh të suksesshme, ku shtete dhe institucione financiare morën angazhime konkrete deri në shifrën 1.15 miliard euro.

Akoma deri sot qeveria nuk e ka qartësuar sa do të jenë grante dhe sa kredi përgjithësisht me terma tregtare. Aktualisht është një periudhë e mirë për burimeve financimi me kosto të ulët, por kjo nuk justifikon mburrjen për marrje borxhi, pasi këto borxhe do të paguhen. Qeveria duhet të jetë shumë këmbëngulëse për thithjen në kohë të këtyre burime financimi, sepse të orientuara për rindërtimin e shtëpive dhe institucioneve publike, ato mund të jenë një burim i mirë financimi për rritjen e shpenzimeve si në vitin 2020 dhe akoma më shumë në vitin 2021. Borxhi i ri 650 milionë euro në tregjet e kapitaleve mund të jetë me një kosto jo të lehtë. Opsioni më i mirë do të ishte ndarja në dy pjesë, pjesa e parë në tregjet e brendshme, ku janë miliarda kursime në euro që flenë të papërdorura dhe pjesa tjetër të merret në tregjet ndërkombëtare.

-Ju tani jeni mbështetës publik i Partisë Agrare Ambientaliste dhe fusha ku ju keni fokus kryesor është bujqësia. Si e shihni këtë sektor, është prekur nga pandemi dhe ku duhet të ndërhyhet?

Partia Agrare Ambientaliste, si parti e qendrës së majtë, synon të jetë parti parlamentare dhe mundësia më e mirë për të kontribuar ne ambientin e politikës shqiptare. Të gjelbrit- përfaqësojnë sot një grupim të partive politike që po merr një peshë në rritje në vendet e BE-së, si në Austri, Gjermani dhe Holandë. Të gjelbrit janë parti progresiste që luftojnë me shumë këmbëngulje për të ndërgjegjësuar pasojat negative të ngrohjes globale dhe të krizave ambientaliste.

Në thelbin e pandemisë shkencëtarët dhe liderët europianë theksojnë se Europa e gjelbër është zgjidhja e problemeve të rëndësishme të së ardhmes. Europa që do të jetë bashkimi ekonomik më i madh në botë, që do ta bazojë rritjen e saj tek ekonomia e gjelbër. Të gjelbrit janë një forcë e rëndësishme politike në Parlamentin europian me rreth 10% të numrit total të deputetëve. Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm në botë ku ministrat e qeverise deklarojnë me mburrje se bujqësia nuk ka nevojë për ndihmë dhe se bujqësia ndihmohet duke ndihmuar turizmin. Këta dy sektorë nuk e përjashtojnë njeri-tjetrin, por e plotësojnë efektin zinxhir. Bujqësia në kushtet e rënies së turizmit duhet të synojë në afatmesëm dhe afatgjatë të rritë aftësinë eksportuese.

Fatmirësisht jemi shumë afër me tregjet potenciale dhe kemi kapacitete të ndjeshme të papërdorura të zhvillimit të qëndrueshëm rural. Edhe në pikun e pandemisë bujqësia nuk u ndihmua me ulje të kostot së kreditimit, e cila financohet nëpërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kostoja është e rëndë deri edhe 25%. Bujqësia është e ekspozuara nga fatkeqësitë natyrore si në trajtë përmbytje, tornado dhe thatësira. Qeveria duhet të fillojë të ndërtojë skema sigurimi të fermerëve me elemente subvencioni pjesore nga qeveria, sidomos në zonat e zhvillimit bujqësor, ku probabiliteti i fatkeqësive natyrore është i lartë. PAA do të jetë një zë i fortë për problemet dhe sfidat e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re