Deputeti demokrat, Flamur Noka ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Pushteti”, nga Suela Meçani në Fax News ku ka folur mbi situatën e krijuar brenda partisë Demokratike që prej datës 9 shtator, kur Lulzim Basha pezulloi ish kryeministrin Sali Berisha nga pozicionet e tij brenda PD.

Noka tha se kishte pasur dyshimet e tij prej disa kohësh lidhur me veprimet e Bashës por shtoi se tashmë ishte i sigurt se ky i fundit kishte punuar vetëm për të bërë neutralizimin e të gjithë forcës opozitare në Shqipëri. Ndër të tjera deputeti tha se Basha kishte përfituar ekonomikisht nga posti i kreut të opozitës duke i përmendur edhe kunatin e tij.

Deputeti demokrat, Flamur Noka: Është shumë e dhimbshme për çdo demokrat për ne që kemi qenë aty suportues dhe mbështetës të lirisë në këto 8 vite opozitë duke shpresuar se po punojmë për njeriun e duhur, kur shohim sot se pas 8 vitesh i gjithë investimi i demokratëve, kanë shkuar dëm. E dhimbshme për secilin prej nesh kur shikojmë se njeriu për të cilin u investuam ta bënim kryeministër ishte fallco. Misioni i tij i vetëm ishte shuarja e opozitës dhe jo rrëzimi i qeverisë.

E dhimbshme për secilin prej nesh kur shikon që kreu i PD për 8 vite paska qenë i marrë peng. Askush prej nesh nuk ia fal dot Bashës 8 vite nga ana jonë me luftë përplasje dhe beteja. Pengu sot qartësisht po tregon se me djersën, me mundin e çdo demokrati ka bërë Pazar. Ka dhënë vulën me qera si garanci për pengmarrjen dhe pastaj ka marrë përsipër të vërë në gjumë jo vetëm strukturat e PD por të gjithë popullin opozitar. Me këtë realitet, janë sot duke bërë betejë të gjithë demokratët nga cepi në cep. Këto janë arsyet përse pati një zgjim kaq të madh të demokratëve. Sepse të gjithë tashmë e panë këtë gjë. Asnjë demokrat përveç atyre që kanë interesa të lidhur me Edi Ramën nuk mund të pranojë që të vazhdohet më në këtë drejtim.

Lëvizja jonë ka pasur si synim qartësimin e çdo anëtari dhe votuesi të PD, çdo qytetari që nuk është dakord me regjimin që nuk pranon t’i bëhet atentat pluralizmit në Shqipëri. Koha e pengut në krye të opozitës ka marrë fund dhe nuk kthehet më. Foltorja dhe secili aktivitet ka një qëllim të thotë ndaj cdo shqiptari që të bashkohet me ne për të shpëtuar demokracinë nga pengmarrja. Sepse pengu i kishte dhënë ndikim regjimit dhe kreut të regjimit, ti mbretëro ndërsa unë shuaj cdo reagim popullor kundër teje.

Suela Meçani: Basha ka filluar të organizojë takime, a do të pritet kudo kështu?

Flamur Noka: U zhvillua Kuvendi Kombëtar i PD ku u mor një vendim për të shkarkuar kryetarin e PD dhe kryesinë që ishte ilegjitime sepse ishte zgjedhur në kundërshtim me statutin. Në çdo demorkaci kreu i një partie politike duhet të respektojë vendimet e organeve supreme. Nga përfaqësuesit tanë i ishte bërë thirrje vazhdimisht që të votëbesohej sepse pas datës 9 shtator gjithçka ishte ndryshe, nuk kishte më mbështetje. U fsheh si struci, nuk pranoi të votëbesohej. Po një njeri që presupozohet të jetë shkolluar në perëndim, a mund të sillet kështu? Nuk ka një njeri që ka kulturë perëndimore që të mbyllet në bunker, të refuzojë vullnetin e sovranit dhe të marrë peng vulën dhe vullnetin e demokratëve, këtë e bëjnë vetëm në Korenë e Veriut sot. Kjo është fyese për cdo demokrat dhe kjo i ka irrituar ata.

Suela Meçani: Demokratët e zhgënjyer u quajtën qesharakë…

Noka: Shoqata e bravave nuk mund të përfaqësojë kurrë PD-në. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët të gjithë e kanë parë, vetëm në Zimbabve, ekziston një shembull i tillë politik dhe pengu ka marrë këtë shembull. Kush është në bunker sot? Sali Berisha? Jo, pengu! Edhe ata që kanë shpresuar tek pengu unë u bëj thirrje dhe ju them: O zotërinj shikoni se ku ju çon rruga e pengut.

Unë kam patur dyshimet e mia, por sot ua them me siguri absolute. Basha nuk e ka dashur kurrë PD-në dhe demokratët, atij i është dashur vula dhe karrigia për të realizuar projektin e tij dhe planin për të shuar të gjithë PD-në.

Meçani: A e ka arritur qëllimin?

Noka: Ai ka bërë gjithçka që ta asgjësojë, të gjitha kauzat që liheshin përgjysmë, koha vërtetoi që ishin të shitura dhe qëllimi ishte asgjësimi i opozitës. Prandaj kemi mbajtur edhe ne përgjegjësinë tonë, kemi kërkuar falje të gjithë sepse kemi fajin tonë. Unë kam qenë përkrahës i PD dhe jo i pengut, por faje kemi të gjithë. Kjo është arsyeja përse janë ngritur demokratët sepse ky peng ka bërë pazar për interesa të pastra ekonomike.

Në asnjë vend të botës nuk ka lider opozite që pasurohet vetëm në Shqipëri. Ky është një rast unik ku korruptohet lideri i opozitës. Sepse nuk mund të pranohet të kthehet PD në një parti të kunatit. Kjo është arsyeja përse ai përbuzet. E patë takimin me gra intelektuale? Është qesharake, e bën këtë për të poshtëruar PD-në, pop se ato janë gratë intelektuale? Sot pas Edi Ramës, pengu është njeriu më i urryer.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re