Operacioni për pastrimin e vijës bregdetare nga zaptimi i zonës së plazhit vijon.

Tetë administratorë biznesesh në Vlorë, Sarandë e Himarë janë vendosur nën hetim për bllokimin e zonës së plazhit.

Policia njofton se ditën e djeshme janë liruar tetë parcela bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme në zonën e Zvërnecit, Radhimës, Himarës dhe Sarandës.

Nën hetim janë vendosur shtetasit me iniciale P. R., S. T., M. B., G. C., V. K., I. S., V. K., dhe F. K., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Njoftimi i policisë:

Procedohen penalisht 8 administratorë subjektesh, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, gjatë ditës së djeshme në plazhin e Zvërnecit, Radhimës, Himarës dhe Sarandës janë liruar 8 parcela bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Vlorë, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Zvërnec, Radhimë, Himarë dhe Sarandë, evidentuan 8 subjekte pa leje, 2 në Zvernec, 2 në Radhimë, 3 në Himarë dhe 1 në Sarandë ku janë hequr 132 shezlongë dhe 66 çadra.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, Himarë dhe Sarandë u proceduan penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: P. R., S. T., M. B., G. C., V. K., I. S., V. K., dhe F. K., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re