Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar auditimin sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë.

Sipas këtij raporti Covid-19 mund të ishte menaxhuar shumë më mirë dhe se Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndjekur politikat e duhura.

Gjatë këtij inspektimi ka rezultuar një mungesë e theksuar e stafit mjekësor së bashku me mungesën e materialeve mbrojtëse, teksa janë hedhur akuza edhe për shkelje të rënda të cilat sipas raportit shkojnë deri në pikën sa kanë falsifikuar vërtetësinë e tamponëve të përdorur për të gjurmuar personat e prekur me Covid-19.

KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të rishikojë akreditimet për laboratorët privatë, ndërkohë që as sigurimet shëndetësore të shumë qytetarëve të cilët iu desh të përballen me pandeminë, nuk i kanë mbuluar dot as shpenzimet për trajtimet mjekësore.

“Kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, funksionimin jo-efecient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, fonde financiare të pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale, pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës.

Mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situatës.

Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE, shifra që tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-19.

Bazuar në Ligjin Nr. 15/2016 “Për parandalimn dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjet infektive” të ndryshuar, si edhe Ligjin Nr. 10138 /2009 “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, në një situatë të tillë, duke qenë se shëndetësia është një e mirë publike, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyrimin ligjor ta ofrojë këtë shërbim falas dhe të marrë të gjitha masat për zbatimin korrekt të tij. Gjykuar në sa më sipër citojmë se: Urdhri Nr. 545 datë 19.11.2020 “Për disa shtesa në Urdhrin nr. 392, datë 01.07.2019 “Për caktimin e kufizimeve në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barna të listës së barnave që rimbursohen nga fondi”, i ndryshuar””, për rimbursimin e pacientëve Covid ka dalë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë. Ndërkohë dhe pas daljes pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij urdhri, pasi ka munguar informacioni nga mjekët e familjes.

Këto vonesa rritën si numrin e pacientëve që filluan trajtimin me antibiotikë pa u konfirmuar si të infektuar me COVID-19 ashtu dhe të atyre që filluan trajtimin vonë pasi prisnin për rezultatet e testit”, thuhet në auditim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re