Fatmir Mediu ishte aleati i fundit që doli nga zyra e Lulzim Bashës mbrëmjen e së mërkurës duke arritur të bindë liderin e opozitës që krahas emrit të koalicionit të vendosen të gjithë siglat e partive duke ruajtur kështu identitetin e të gjitha forcave politike në listën e përbashkët të kandidatëve.

 

“Trajtimi i kandidatëve si kandidatë të koalicionit opozitar dhe jo të ndarë se kujt partie i përkasin . Është shumë e rëndësishme të thirret dhe votuesi spontan tradicional edhe ai që vjen për shkak të fushatës elektorale dhe mendoj që emrat e partive politike krahas emrit të koalicionit janë të domosdoshme dhe duhet të shoqërojnë fletën e votimit.”, thote Mediu per Vizion Plus.

 

Mediu ka arritur të vendosë në marrëveshjen e koalicionit edhe një element tjetër që numri i kandidatëve që do të ketë secila forcë do të varet nga pesha e saj elektorale. Por ky element , shton Vizion Plus, nuk nënkupton që negociatat mes tij dhe Lulzim Bashës janë mbyllur.

 

“Unë nuk mendoj se janë mbyllur, janë përcaktuar kriteret dhe duhet patjetër të implementohen kriteret. PR në mirëkuptim me PD kanë rënë dakord që tek pesha e saj elektorale ku i takojnë kandidatët, do të ketë një vlerësim të përbashkët të kandidaturave, dhe  unë shpresoj që kjo të jetë për të gjithë koalicionin dhe në bindjen time si drejtues i PR kandidati i vlefshëm është ai që ofron më shumë mundësi për të shtuar mandate dhe vota dhe Brenda kësaj jemi të hapur për të gjykuar kush është kandidati më i mirë pavarësisht se kujt kandidati i përket edhe tek pozicioni që ka partia republikane.”

 

Deri mesnatën e 8 marsit kur dorëzohet listat e kandidatëve në KQZ, kryetarit të PD Lulzim Basha do t’i duhet të mbyllë negociatat me aleatët e tij për numrin dhe pozicionin që kandidatët e partive aleate do të kenë në listën e përbashkët të koalicionit; një negociatë që pritet të jetë e vështirë veçanërisht me republikanët e Mediut të cilët kërkojnë më shumë se një pozicion të sigurt në koalicionin “Aleanca për ndryshim”

 

 

KOALICIONI, ME SIGLAT E PARTIVE

 

MEDIU: KANDIDATET, SIPAS PESHES ELEKTORALE