Skip to content

Kokaina e kapur në portin e Durrësit, Fax News mëson detaje, si e kanë ndryshuar taktikën trafikantët

Fax News mëson detaje të reja nga kokaina e kapur mesditën e djeshme në portin e Durrësit. Prokurorira e Posaçme e ka bashkuar dosjen me 4 ngarkesat e kapura që prej korrikut në port, ngarkesa të sjella nga e njëjta kompani.

Burime nga SPAK, i thanë Fax neës se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me policinë e shtetit pas marrjes së informacionit se në kontenierë dyshohej se kishte kokainë. Hetuesit e strukturës anti-korrupsion janë duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme duke vlerësuar edhe ngjarjet e fundit.

Ndërkohë sipas informacioneve që Fax news ka siguruar mësohet se porositë për kontenierët e firmës Alba  Exotic Fruit janë dhënë përpara kapjes së sasisë së parë, pasi pas mbushjes me banane në Ekuador rruga zgjat 3 javë deri më 3 muaj e gjysmë derisa të mbërrij në destinacion.

Burime nga grupi hetimor i thanë Fax neës se trafikimi i kokainës nga Ekuadori drejt vendit tonë në sasi të vogla, duket se ka qenë një nga metodat për të bërë të mundur nxjerrjen e lëndës narkotike, nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga autoritetet.

Ndërkohë që vijon puna për identifikimin e porositësve pasi ka dyshime se pas këtij trafiku fshihet një grup kriminal. Nga 13 korriku e deri me sot në kontenierët e kompanisë “Alba exotic Fruits” kokaina është kapur në 5 raste, ku në total janë  sekuestruar rreth 44 kg kokainë, një sasi e vogël krahasuar me dërgesat e tjera të kapura në port.

Sipas hetuesve kjo është një metodë që autoritetet mos dyshonin për trafikun e paligjshëm. Por, në 2019, po në pronësi të kësaj firmë u kap një sasi e madhe prej 137 kg kokainë. “Alba Exotic Fruit” importon prej vitit 2011 fruta nga vendet e Amerikës së Jugut. Kompania është në zotërim të Eduart Dautit, i cili është në kërkim dhe Barjon Gumenit, i arrestuar.

/faxweb