Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i qëndroi kërkesës për shkarkim, ndërsa Martini i kundërshtoi të gjitha shkaqet e ankimit dhe pretendoi se komisioneri nuk po përfaqësonte interesin publik.

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa dhe prokurori i Tiranës, kandidat për në SPAK, Anton Martini paraqitën të martën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin e kryer ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit për konfirmimin në detyrë të Martinit dhe shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa ky fundit tha se qëndrimi i Komisionerit ishte në kundërshtim me interesin publik. Ballhysa tha se shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga prokurori Martini nuk kishin arritur të provonin të kundërtën e shkaqeve të ankimit, ndërsa e konsideroi të pabazuar pretendimin se ankimi i tij ishte bërë jashtë afateve.

Ashtu si gjatë parashtrimeve në seancën e 30 marsit, përfaqësuesi ligjor i prokurorit Martini, avokati Julian Mërtiri, i qëndroi pretendimit se ankimi ishte kryer jashtë afateve dhe kërkoi mospranimin e tij.

Konkluzionet për pasurinë

Ballhysa theksoi se prokurori Martini kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me burimin e krijimit të apartamentit me sipërfaqe 97.16 dhe garazhit në Tiranë.

Sipas Komisionerit, subjekti nuk ka deklaruar gjatë periudhës 2007-2010 gjendjen e likujditeteve cash të krijuara pas tërheqjes nga banka në vitin 2007 të shumës 37 mijë e 400 euro, që përfaqëson kredinë e marrë me kushte lehtësuese po atë vit.

Ai pohoi se ishte provuar mundësia e vëllezërve të subjektit për dhurimet e kryera nga ana e tyre, por shtoi se kjo nuk ndikonte në situatën financiare të përgjithshme.

Ballhysa konkludoi se prokurori Martini është gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe në mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive.

Përfaqësuesi i prokurorit Anton Martini solli në vëmendje të Kolegjit faktin se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI kishte hartuar raport pozitiv për prokurorin Martini, duke mos evidentuar asnjë problem.

Ai theksoi se nga analiza financiare e kryer në Komision ishte konkluduar se subjekti kishte pasur mundësi reale për pagesën fillestare për apartamentin në vlerën 50 mijë euro.

“Subjekti ka deklaruar shtesat e pasurive dhe jo gjendjen cash. […] Ai ka pasur detyrim të deklarojë ndryshimet,” pohoi Mërtiri dhe vijoi se gjendja cash provohej edhe me deklarimet e prokurorit Martini të kryera pranë ILDKPKI në vitin 2011, kur ka pasqyruar konvertimin e shumës që zotëronte dhe në 2015-ën kur ka deklaruar si burim për porositjen e apartamentit kredinë e përfituar në 2007-ën.

Ai vijoi se Komisioneri duhej të ishte tërhequr nga shkaku i ankimit për pamundësinë e vëllezërve të subjektit për shumat e dhuruara, pasi tashmë ishte e provuar se ata kishin pasur burime financiare të mjaftueshme.

Sipas Mërtirit, përfshirja e këtyre të ardhurave të deklaruara nga Martini si burime për krijimin e pasurive e bën të pacënueshëm vendimin e KPK-së.

Profesionalizmi

Komisioneri Ballhysa tha se prokurori Martini nuk kishte kryer veprime hetimore për çështjen me të dëmtuar gazetarin A.Xh., i cili është ankuar ndaj subjektit në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas Komisionerit, moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore kishte shmangur autorët nga dënimi më i rëndë dhe se në këto kushte ishte cënuar besimi i publikut.

Mesazhet e dërguara nga subjekti një avokateje u konsideruan prej Ballhysës si cënim i etikës, jashtë ushtrimit të detyrës.

Për dy denoncimet për të cilat u çel hetimi gjyqësor; denoncimi i ish-punonjësit të policisë Dritan Zagani, i cili pretendonte zvarritje të procesit dhe denoncimin anonim ku ngrihej si problem ndarja e çështjeve në Gjykatën e Shkodrës, komisioneri Ballhysa tha se u qëndronte parashtrimeve të paraqitura në seancat e mëparshme.

Në përfundim, ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Martini.

Avokati Mërtiri renditi gjithë kronologjinë e procedurave hetimore për çështjen me palë të dëmtuar gazetarin A.Xh., që prej momentit të kallëzimit e deri në përfundimin e gjykimit. Ai theksoi se prokurori Martini kishte kryer dhjetra veprime hetimore, duke i përmendur një për një dhe solli në vëmendje se subjekti kishte ngritur akuzë ndaj autorëve dhe e kishte dërguar çështjen në gjykatë. Sipas Mërtirit, Martini e kishte ankimuar një prej vendimeve të gjykatës për mosshpalljen fajtor të një të pandehuri.

“Subjekti ka qenë shumë aktiv dhe ka kryer gjithë veprimet hetimore të mundshme,” pohoi Mërtiri.

Ai e konsideroi të pabazuar në ligj kërkesën e Komisionerit për vlerësimin si cënim të etikës jashtë detyrës dërgimin e mesazheve telefonike nga subjekti në drejtim të një avokateje.

Lidhur me ndarjen e çështjeve kur Martini drejtonte si i komanduar Prokurorinë e Shkodrës, Mërtiri vërejti se nuk kishte pasur asnjë ankesë. Ai shpjegoi se për dosjet që kishte qenë e pamundur të shpërndaheshin me short elektronik, ishin ndarë me short manual. “Mosfunksionimi i shortit elektronik ka qenë përgjegjësi e Prokurorisë së Përgjithshme. Denoncimi është anonim dhe keqadashës,” pohoi Mërtiri.

Për denoncimin e kryer nga Zagani, Mërtiri shpjegoi se subjekti nuk ka pasur mundësi vendimarrje apo të pengonte gjykimin. Ai pohoi se vendimi për moskompetencën ishte marrë nga gjykata dhe jo nga prokuroria.

“Subjekti nuk ka dëmtuar asnjë interes të z.D.Z,” tha Mërtiri dhe shtoi se ky shtetas ishte larguar jashtë Shqipërisë për azil.

Në përfundim, avokati Mërtiri kërkoi konfirmimin në detyrë të prokurorit Martini. Ky i fundit paraqiti edhe vetë një qëndrim gjatë seancës së të martës, ku e konsideroi ankimin e Komisionerit jo në interes të publikut.

Martini konfirmoi konkluzionet e avokatit Mërtiri dhe u shpreh se do të parashtronte qëndrimin e tij shkurtimisht, duke kontrolluar çdo emocion në këtë seancë që e cilësoi si “një moment pikant, kulminant jetësor e profesional”.

Ai deklaroi se ankimi i Komisionerit më shumë i dukej si një qëndrim për mospëlqimin e vendimit të KPK-së. Duke sjellë në vëmendje se detyra e Komisionerit lidhet me përfaqësimin e interesit publik, Martini ngriti pyetje nëse në rastin e tij qëndronte një gjë e tillë.

Lidhur me pasurinë, ai theksoi se së bashku me bashkëshorten kishin punuar 46 vjet dhe kishin krijuar vetëm një banesë me sipërfaqe 97.16 m2, ku 85% e vlerës ishte financuar me kredi bankare.

“A është në interesin publik të cënohet në nder e të vihet në diskutim kriteri i pasurisë për një prokuror, për të cilin dhe familjen e tij, nuk ka asnjë të dhënë për stil jetese të pajustifikuar? Evidentoj këtu që p.sh disponoj një autoveturë prodhim i vitit 2001,” tha Martini dhe shtoi se Komisineri Publik kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme, duke mos ushtruar ankim ndaj disa vendimeve të KPK-së.

“Si mundet Komisioneri që përfaqëson interesin publik për një sistem drejtësise të pavarur dhe profesionale të çliruar nga korrupsioni, të ananshkalojë gjithë kontributin, përpjekjet dhe arritjet e mia gjatë gjithë këtyre viteve?”, theksoi Martini.

Ai bëri një përshkrim të arritjeve në detyrë, kryesisht të akuzave penale që kishte ngritur dhe kishte mbrojtur në gjykatë ndaj pjesëtarëve të organizatave kriminale, si dhe të bashkëpunimit, sipas tij të suksesshëm, me autoritet e drejtësisë amerikane dhe evropiane kundër krimit të organizuar.

Sipas Martinit, ai ishte i pari prokuror që kishte nënshkruar marrëveshje me një të penduar të krimit të organizuar, pasi kishte krijuar besim me punën e tij. Prokurori Martini pohoi se prej shumë vitesh, ai dhe familja e tij ruheshin nga policia për shkak të kërcënimeve që kishin marrë për shkak të detyrës së tij.

“Për çfarë arsye Komisioneri Publik, mban qëndrim të pabazuar e arsyetuar, kujt i shërben? A është në interesin publik që të largohem nga detyra, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë për ushtrim detyre qoftë edhe një një rast duke cenuar pavarësinë dhe profesionalizmin dhe të robëruar sado pak nga korrupsioni..,” tha Martini dhe i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë me objektivitet pretendimet e tij.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 10 qershor, ora 15:00.